Qytetarëve shqiptarë përveç kartës fizike të identitetit do t’u krijohet mundësia që të pajisen edhe me letërnjoftim digjital. Në Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zëvendësministri i Brendshëm Andi Mahila prezantoi projektligjin për disa ndryshime “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”.
Mahila theksoi se qëllimi i këtij projektligji është “krijimi i mundësisë për pajisjen me letërnjoftim digjital e-ID për të gjithë shtetasit e pajisur me letërnjoftim elektronik në kuadër të digjitalizimit, modernizimit të sistemeve elektronike, si dhe zbatimin e skemave të sigurta të shërbimeve e-ID”.
Mahila tha më tej se, kjo nismë është pjesë e Strategjisë Ndërsektoriale Axhenda Digjitale e Shqipërisë dhe planin e veprimit 2022-2026. “Propozimi për ndryshimin e këtij projektligji vjen në një linjë me listën unike të projekteve me rëndësi kombëtare, ku projekti i identitetit digjital për shtetasit shqiptar është pjesë e listës”, tha Mahila.
Sipas Mahilës “ndryshimi i ligjit do të krijojë një bazë të ligjshme për pajisjen e shtetasve shqiptare me letërnjoftim digjital duke e lejuar këtë proces të realizohet në përputhje me standardet e BE-së dhe garantuar përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare”.
“Qëllimi është për të kontribuar në modernizmin e administratës publike si dhe të lehtësojë aksesin e qytetarëve në mjedisin digjital”, u shpreh Mahila. “Kjo ndërhyrje do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik social dhe institucional të vendit duke përmirësuar jetën e qytetarëve dhe duke rritur konkurrueshmërinë e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, tha Mahila.
Mahila shtoi se projektligji ka si qëllim përmirësimin dhe standardizimin e mënyrave të identifikimit të qytetarëve në ambientin digjital.
Sipas Mahilës projektligji “standardizon identifikimin e qytetarëve në nivel evropian dhe implementon një identitet digjital të përbashkët, i cili mund të lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset evropiane”. “Në mungesë të një kuadri ligjor, identifikimi digjital nuk mund të përdoret si mjet i njohur zyrtarisht për transaksione administrative, publike ose private”, tha Mahila.
“Kjo iniciativë përfaqëson një hap të madh para drejt një të ardhme më të sigurt më efikase dhe më të digjitalizuar për të gjithë qytetarët shqiptarë për të cilët do të punojmë së bashku për ta bërë këtë vizion një realitet të prekshëm për të gjithë”, u shpreh Mahila.
Në fund të diskutimeve, kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka tha se mazhoranca është pro kësaj nisme, e cila synon vijimin e modernizimit dhe digjitalizimin, duke lehtësuar dhe përmirësuar jetën e qytetarëve.