Në shërbimin e Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës janë instaluar pajisje me teknologji të avancuar për realizimin e ndërhyrjeve tek pacientët.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky shërbim, ku bëhen të mundura ndërhyrje shumë precize dhe delikate, të cilat janë pjesë e patologjive e sëmundjeve që trajtohen në shërbimin e Neurokirurgjisë.
“Me investimet e reja në Shërbimin e Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës, janë instaluar pajisje me teknologji të avancuar që mundësojnë trajtimin e patologjive delikate me saktësi maksimale, duke ofruar gjithnjë e më shumë shërbim shëndetësor cilësor për të gjithë pacientët që drejtohen në këtë spital, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Në videon e publikuar nga kryeministri Rama, shefi i shërbimit të Neurokirurgjisë, Dr. Fatos Olldashi tha se “shërbimi i Neurokirurgjisë kohët e fundit është pajisur me aparaturat më moderne që disponon salla e operacionit të Neurokirurgjisë”.
“Vlen për tu përmendur blerja e aparaturës O-arm, e cila është një skaner brenda sallës së operacionit . Kjo bën të mundur kryerjen e ndërhyrjeve shumë precize, shumë delikate të cilat janë pjesë e patologjive e sëmundjeve që trajtohen në shërbimin e neurokirurgjisë. Po ashtu është blerë e pajisja e endoskopisë neurokirurgjikale për realizimin e operacioneve quhen minimale me një hapje të vogël të lëkurës së pacientit të arrihet të realizohet trajtimi kryesor i patologjisë, qoftë traumatike apo edhe tumorale. Gjithashtu vlen të përmendet edhe blerja e neuronavigatorit dhe neuromonitorit. Natyrisht mikroskopi ka qenë prezent në këto investime që ka bërë më përpara Ministra e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, theksoi Olldashi.
Dr. Olldashi u shpreh se “të gjitha këto pajisje përbëjnë armaturën kryesore të një salle operacioni moderne neurokirurgjikale të një standardi perëndimor në botë”.