Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka nisur komunikimin e akuzave për anëtarët e 7 grupeve kriminale, që u goditën në kuadër të operacionit “Revanshi”. Pritet që pas kësaj procedure, organi hetues ti drejtohet Gjykatës me kërkesën e çeljes së gjykimit.
Pjesë e këtyre grupeve, veç subjekteve me rekorde kriminale, u evidentuan të ishin edhe zyrtarë të lartë policor, si drejtori i Policisë së Lezhës Henerigert Mitri, apo persona publik e lidhje me politikën si ish-deputeti Arben Ndoka e vëllai i deputetit Eduard Ndreca Armando Ndreca.
Grupet kriminale vepronin në një territor të gjerë, si Lezha, Durrësi, Kruja, Tirana, Vlora dhe Burreli.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Henerigert Mitri organizonte lojrat e fatit në këtë qytet duke mbështetur e bashkëpunuar me biznesmenin strategjik Pëllumb Gjoka që ndodhet në arrest në kuadër të dosjes “Metamorfoza” dhe me Shefin e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve po këtë drejtori, Klodjan Shahini drejtonin kultivimin e kanabisit.
SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë të përafërt mbi 4,5 milion Euro mes tyre gati 3 milione euro jane para cash dhe valixhe me florinj e ora.