Kryeministri Edi Rama u ka bërë sot thirrje shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Gjermani që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Përmes një videokartoline të publikuar në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u kujton bashkatdhetarëve shqiptarë që të regjistrohen në platformën elektronike të KQZ-së, teksa sqaron se afati përfundimtar i regjistrimit është 4 marsi.
“Me këtë videokartolinë për shqiptarët e Gjermanisë, të cilëve bashkë me përqafimet u përcjell edhe rikujtesën se afati i regjistrimit për të votuar më 11 maj, skadon në 4 mars,” thekson kryeministri Rama.
“Çdo ditë është e ngjashme me tjetrën. Lodhem. Fitoj sa për të mbajtur veten dhe për të ndihmuar nënën. Sa herë që telefoni bie, zemra më ndalon për një çast. Si je biri mamit? A je mirë? Unë punoj larg për një të ardhme më të mirë. Unë dua të votoj se atje kam nënën, kam zemrën time,” thuhet në videokartolinën e ndarë nga kryeministri Rama.