Dy punonjës të autoritetit që menaxhojnë Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit Ronald Reagan janë arrestuar për përfshirjen e tyre të dyshuar në rrjedhjen e pamjeve të kamerave të sigurisë të përplasjes vdekjeprurëse të avionit javën e kaluar në kryeqytetin amerikan. Sipas New York Post, dy punonjësit e Autoritetit të Aeroporteve Metropolitan Washington (MWAA) akuzohen për kopjim të paautorizuar të pamjeve dhe gjithashtu mund të ndiqen penalisht për akses të paligjshëm në sistemet elektronike.
Të dy 21-vjeçari Mohamed Lamine Mbengue, nga Rockville, Maryland, dhe 45-vjeçari Jonathan Savoy, nga Upper Marlboro, Maryland, u liruan pasi u ngritën akuza kundër tyre dhe do ndiqen në gjendje të lirë.
Problemet ligjore të dy burrave lidhen me videon e siguruar nga CNN javën e kaluar, e cila kapi momentin tronditës kur një helikopter ushtarak Black Hawk dhe një aeroplan pasagjerësh të American Airlines u përplasën mbi lumin Potomac. Incidenti tragjik shkaktoi rrëzimin e të dy avionëve dhe vdekjen e 67 personave në bord.
Videot e publikuara nga mediat amerikane menjëherë pas rrëzimit bënë xhiron e internetit, duke ngritur shumë pikëpyetje se si dy avionët u përplasën në hapësirën ajrore të ngarkuar mbi aeroportin Ronald Reagan. CNN tha të premten se të dyja videot që publikoi pas tragjedisë janë marrë me telefona celularë.