Klevi Pojana, ish-nënkryetar i Forumit Rinor të Partisë së Lirisë si dhe ish-kandidat për deputet me këtë parti, është bashkuar me socialistët.
Pojana është emëruar administrator në Njësinë nr. 8 në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Pojana nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, ku edhe ka falënderuar kryebashkiakun Erion Veliaj për besimin.
“Sot nis një sfidë e re me detyrën si Administrator i Njësisë Administrative Nr. 8 Bashkia Tiranë! Me dëshirën për t’i shërbyer me përgjegjësi çdo qytetari dhe për të qëndruar gjithmonë një derë e hapur ndaj çdo kujt që dëshiron të shprehi shqetësimet e tij, besoj se do ja dalim të jemi gjithmonë prezent për të gjetur zgjidhje e për të ofruar ndihmë! Falënderoj Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliajn për besimin!”, shkruan Pojana.
Pojana thekson më tej se “ky qytet që ka ndryshuar kaq shumë dita-ditës vrapon e është kthyer jo vetëm në kryeqytetin e shqiptarëve, por në kryeqytetin e gjithë Ballkanit! Pranë njerëzve dhe në lagjen ku u linda dhe u rrita, në lagjen simbol të Tiranës tonë të dashur”.