Votuesit shqiptarë që jetojnë jashtë, për herë të parë kanë mundësi që këtë vit të marrin pjesë përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Procesi për regjistrimin në Platformën Elektronike të Zgjedhësve (PER) ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.
Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve nga jashtë të regjistruar ka arritur shifrën 146 434, ndërsa deri sot në orën 09:00 janë miratuar 91 516 kërkesa. Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 87 289 (59,6%) kërkesa, ndërsa femrat janë 59 145 (40,4%).
Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 40 755 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 39 434 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 27 978 dhe mbi 56 vjeç janë 22 939 kërkesa për regjistrim.
Më të rinjtë, grup-mosha 18-25 vjeç, kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 15 328-të tilla. Sipas të dhënave janë refuzuar 52 563 kërkesa. Sipas KQZ-së këtu përfshihen edhe rastet kur një zgjedhësi aplikimi i është refuzuar më shumë se një herë. Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 55 522, e ndjekur nga Greqia me 39 570, Gjermania me 17 408, si dhe nga SHBA me 10 598.