Në të gjithë vendin vijon vaksinimi falas kundër gripit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se “deri tani janë aplikuar 77,4% e vaksinave të siguruara për grupet e riskuara”.
“Paralelisht, vijon vaksinimi në familje për ata që nuk mund të paraqiten në qendrat shëndetësore. Mjekët dhe infermierët vijojnë punën për të garantuar mbrojtje për më të rrezikuarit”, theksoi Koçiu. Ministrja Koçiu i bëri apel qytetarëve të drejtohen te mjeku i familjes dhe të kryejnë vaksinën për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
Në qendrat shëndetësore ka nisur që prej 7 tetorit 2024 vaksinimi falas kundër gripit, si mjeti më efikas dhe mbrojtja më e mirë kundër virozave respiratore që shkaktohen nga ky virus. Në kuadër të Programit Kombëtar të Vaksinimit 280 mijë doza vaksinash janë shpërndarë tashmë në të gjithë vendin.