Nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe deputetët Bledion Nallbati e Jorida Tabaku, kanë zhvilluar takime me shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në Michigan, teksa i falënderuan për sakrificën dhe punën e tyre që ka bërë të mundur që t’u tregojnë botës Shqipërinë e vërtetë, zyrtarët e PD-së iu bënë thirrje që të regjistrohen dhe të votojnë më 11 maj.
Gazment Bardhi u kërkoi ndjesë për mungesën e vëmendjes, ndërsa theksoi se diaspora është ajo që sot ka peshën kryesore në vendosjen e ndryshimit të Shqipërisë.
“Ju jeni forca kryesore. Sot ka më shumë shqiptarë që jetojnë jashtë se ata që jetojnë në Shqipëri, dhe si e tillë, fatmirësisht tani jeni të përfshirë dhe vendosni për jetën politike të vendit tonë. Prandaj, ju kërkoj të mos e neglizhoni, ju kërkoj të regjistroheni dhe të votoni në masë në zgjedhjet e 11 majit. Shqipëria ka nevojë për ju dhe ju duhet të jeni aktivë.”
Deputetja Jorida Tabaku tha se Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të vështirë
“Ne ndodhemi në një udhëkryq të vështirë, si për ju këtu në raport me Shqipërinë, ashtu edhe për familjet tuaja që jetojnë atje. Por besoj se, së bashku, me votën e diasporës mund të bëjmë ndryshimin. Ndaj, nuk duhet të hezitojmë! Nuk kërkojmë votën kot, por sepse kemi një program të qartë, të cilin po e prezantojmë. Ky program është në shërbim të meritokracisë, një vlerë që ju e prekni çdo ditë në SHBA, por që në Shqipëri mungon.”
Deputeti Bledion Nallbati tha se vetëm falë diasporës, Partia Demokratike ka shansin që më 11 maj të bëjë realitet ndryshimin.
“Të dashur miq! Sot ju keni në dorë të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm falë angazhimit tuaj, falë përfshirjes tuaj, Partia Demokratike do të ketë shansin të bëjë realitet ndryshimin, të angazhohet për të kthyer Shqipërinë në shinat e zhvillimit dhe integrimit, duke larguar një qeveri që e ka varfëruar dhe inkriminuar.”