2 persona të identifikuar si Fatjon Kodra dhe Elton Kaci janë arrestuar nga Policia e Tiranës dhe ndërkohë u shpallën në kërkim Florjan Aliu dhe Enea Zira.
Policia njofton se grupi shisnin armë zjarri në Tiranë, në Fushë Krujë dhe në Thumanë.
Si provë materiale janë sekuestruar 3 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Njoftim:
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera me metoda proaktive, në kuadër të një procedimi penal të nisur për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Heliks”, si rezultat i të cilit u ndaluan shtetasit:
F. K., 18 vjeç dhe E. K., 49 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit F. A., 28 vjeç dhe E. Z., 28 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, të organizuar si grup, shitnin armë zjarri në Tiranë, në Fushë Krujë dhe në Thumanë.
Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.