Një shqiptar, rreth të dyzetave, ka dalë përpara një gjykate në Lenzburg të Zvicrës, pasi akuzohet për shitjen e sasisë së madhe të kokaine.
Sipas mediave zvicerane, shqiptari, i cili kishte një jetesë të thjeshtë dhe një punë në një biznes të vogël, është akuzuar për një aktivitet kriminal të madh që i ka sjellë atij një fitim të konsiderueshëm.
Pavarësisht se ishte një njeri modest dhe nuk binte në sy, shqiptari ka shitur 52 kilogramë kokainë dhe 8 kilogramë heroinë brenda një periudhe gjashtë mujore, duke përfituar të paktën 2.5 milionë franga, të cilat i ka nxjerrë jashtë Zvicrës. Ai njihej si një person që kishte një jetë të zakonshme, duke jetuar në një apartament të vogël në periferitë e Lenzburgut dhe duke punuar si në një biznes të vogël.
Prokurori tha se shqiptari nuk bënte thuajse asnjë gabim, duke qenë një “bos droge me veshje modeste”. Gjithçka u zbulua kur u deshifruan kodet e përdorura nga ai në një komunikim të koduar. Shqiptari akuzohet se përdorte kodin TP46MT, i cili u deshifrua nga autoritetet zvicerane.
Në gjyq, shqiptari ka mohuar akuzat, duke deklaruar se ky kod ishte përdorur nga një kriminel shqiptar, i vrarë në vitin 2020. Megjithatë, prokurorët zviceranë janë të bindur se ishte ai që përdorte këtë kod për të fshehur aktivitetet e tij kriminale.
Në përfundim, gjykatësja e dënoi shqiptarin me 16 vite burg dhe 15 vite dëbim nga Zvicra.