Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar për herë të dytë padinë e deputetëve të opozitës për Portin Turistik të Durrësit.
Me shumicë votash, Gjykata vendosi rrëzimin e padisë së një të pestës së opozitës.
Fillimisht, Gjykata ritheksoi qëndrimin e saj se ajo ka juridiksion për kontrollin e
kushtetutshmërisë së ligjeve miratuese, siç është edhe ligji nr. 79/2022, për sa kohë juridiksioni
i Gjykatës përcaktohet nga natyra kushtetuese e pretendimeve.
Për sa u takon pretendimeve të kërkuesve për antikushtetutshmërinë e katër VKM-ve,
përkundrejt standardeve përkatëse të jurisprudencës kushtetuese, Gjykata, me shumicë votash,
arriti në përfundimin se ato (VKM-të) janë akte individuale dhe si të tilla nuk i nënshtrohen
juridiksionit kushtetues në bazë të nenit 131, pika 1 (c) të Kushtetutës.
Gjykata vlerësoi se kërkuesi legjitimohet si subjekt (ratione personae dhe ratione temporis)
për të gjitha pretendimet e ngritura në kërkesë lidhur me ligjin nr. 79/2022.
Më tej, në vlerësim të brendisë dhe natyrës kushtetuese të pretendimeve konkrete (ratione
materiae), Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se pretendimet e kërkuesit për cenimin e:
* identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore si rezultat i zhvillimit të projektit
strategjik në territorin e portit të Durrësit;
* nenit 11/2 të Kushtetutës, për shkak të dështimit të shtetit për të mbrojtur këtë pronë
publike, duke ia vënë atë në dispozicion një shoqërie private (pjesërisht);
* së drejtës për transparencë për shkak të: (i) moszhvillimit të seancave dëgjimore me
grupet e interesit; (ii) mosinformimit të deputetëve për disa pjesë të kontratës; (iii)
procedurës së përshpejtuar në miratimin e ligjit; (iv) paqartësive lidhur me pronarin
përfitues fundor;
* nenit 82/1 të Kushtetutës, për shkak se projektligji nuk është shoqëruar me raportin që
përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij;
* Kushtetutës, MSA-së dhe Marrëveshjes për Heqjen e Vizave midis Shqipërisë dhe BEsë, për shkak të krijimit të një skeme të tipit golden passports;
* parimeve të autonomisë vendore, për shkak të faktit se Bashkia Durrës dhe banorët e
atij qyteti do të privohen nga të ardhurat që do të vijnë në formën e taksës së ndikimit
mbi infrastrukturën dhe përfitimi i kuotës ligjore për banesat sociale,
nuk do të merren në shqyrtim për sa kohë që kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente
kushtetuese.
Po ashtu, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit për cenim të lirisë së veprimtarisë
ekonomike, në drejtim të konkurrencës të lidhur me parimin e barazisë para ligjit, për shkak se
subjekti zhvillues i projektit strategjik është përzgjedhur pa garë, arriti në përfundimin se nuk
duhet të merret në shqyrtim, pasi përzgjedhja e zhvilluesit pa garë është parashikuar në
marrëveshjen ndërkombëtare midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe
Emirateve të Bashkuara Arabe, të miratuar me ligjin nr. 145/2020 dhe jo nga ligji objekt
shqyrtimi. Për më tepër, Gjykata konstatoi se konkurrimi mes zhvilluesve sipas ligjit për
investimet strategjike realizohet në fazën e marrjes së statusit të investitorit strategjik.
Më tej, Gjykata vijoi me shqyrtimin në themel të pretendimeve të mëposhtme, për cenimin e:
1. parimeve kushtetuese të decentralizimit dhe autonomisë vendore, për shkak të
parashikimit të nenit 10.6 të Marrëveshjes Kuadër të miratuar me ligjin nr. 79/2022
(objekt kërkese), i cili parashikon se menaxhimi i hapësirave publike të krijuara nga
zbatimi i projektit strategjik do të bëhet nga investitori strategjik;
2. lirisë së veprimtarisë ekonomike në drejtim të konkurrencës së lirë të lidhur me parimin
e barazisë para ligjit, për shkak të përjashtimit të investitorit strategjik nga detyrimi për
të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë, detyrimi për të kontribuar në strehimin
social (neni 2/1 dhe 10.12 i Marrëveshjes Kuadër) dhe të faktit se prona publike i është
vënë në dispozicion një shoqërie private pa konkurrencë (neni 11/2 i Kushtetutës).
Në lidhje me pretendimin e parë, në një interpretim pajtues midis dispozitave të kontestuara
dhe nenit 13 dhe 113 të Kushtetutës, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se
menaxhimi i hapësirave publike nga investitori strategjik në nenin 10.6 të Marrëveshjes Kuadër
duhet kuptuar se është vetëm një mundësi, zbatimi i së cilës mbetet në diskrecionin e pushtetit
vendor.
Në lidhje me pretendimin e dytë, Gjykata, me shumice votash, arriti në përfundimin se ai është
i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/
detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë,
pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore
në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.
Në përfundim për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kerkeses.