Kryeministri Edi Rama, në rubrikën Sy më sy në Facebook, foli ndër të tjera edhe për procesin që ka nisur SPAK ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Rama tha se sot SPAK ka vullnetin e pavarësisë. Sipas tij, SPAK duhet të mësojë të respektojë tjetrin. Kreu i qeverisë shtoi se gjithashtu SPAK duhet të ketë respekt për prezumimin e pafajësisë, ndaj kujtdo që merret nën hetim.
Edi Rama: PS e ka krijuar SPAK, që ka vullnetin e popullit shqiptar. Ne duam që SPAK të jetë aty, që të fuqizojë veten dhe jemi këtu për të ushtruar këtë vullnet. Sot kemi provën e padiskutueshme të pavarësisë së SPAK. Ama, pavarësia nuk mjafton. Duhet edhe profesionalizmi e integriteti. SPAK duhet të luftojë me veten dhe të ketë parasysh që pavarësia duhet vënë në funksion të një drejtësie të drejtë, që nuk sheh majtas ose djathtas.
Ama, duke ruajtur të gjitha principet e kulturës europiane. Është një pikë problematike tek aktiviteti i SPAK, që ka të bëjë me respektin për tjetrin, me respektin për prezumimin e pafajësisë, me respektin për këdo që bëhet pjesë e një procesi, qoftë edhe që pyetet si person që mund të dijë diçka, se cilido qoftë është i barabartë me këdo. Kushdo që merr në pyetje këdo aty te Stacioni i Trenit, duhet të ketë parasysh se duhet ta respektojë.