Kreu i SPAK, Altin Dumani, reagoi në lidhje me debatin e ditëve të fundit për caktimin e masës “arrest me burg” për individët e dyshuar, duke theksuar se përpjekjet për të portretizuar SPAK-un si një institucion represiv janë të pasuksesshme.
Dumani sqaroi se, megjithëse çdo hetim ka dinamikën e vet, SPAK është i kujdesshëm në zbatimin e procedurave dhe masave të sigurisë.
Ai theksoi se më pak se 9% e të paraburgosurve të SPAK janë të përfshirë në vepra të lidhura me krimin e organizuar. Ndërsa për korrupsionin, 49% e hetimeve janë kryer në gjendje të lirë, me masa të tjera sigurie si arrest shtëpie ose ndalimi për të dalë jashtë shtetit.
Dumani e shpjegoi situatën, duke theksuar se veprat penale që lidhen me krimin e organizuar kërkojnë arrestimin, për shkak të rrezikshmërisë që ata paraqesin. Ai i ftoi të gjithë të kuptojnë se SPAK është shumë i kujdesshëm në vlerësimin e kushteve dhe kritereve që përcakton Kodi i Procedurës Penale në caktimin e masave.
Dumani: E para në çdo masë sigurimi që ne kërkojmë ne njohin mirë kriteret e kodit të procedurës penale dhe përpiqemi të jemi strikt për caktimin e masës së sigurimit. Çdo hetim ka dinamikën e vet, por përpjekja për të vendosur SPAK si një institucion represiv është një përpjekje e dështuar. SPAK ka publikuar numrin e përgjithshëm të paraburgosurve për llogari të SPAK në raport me numrin e të paraburgosurve në Shqipëri. Më pak se 9% dhe këta janë për vepra penale që lidhin me krimin e organizuar.
Sa i takon veprave penale të korrupsionit dhe veprave të kryerja në detyrë. 49% janë hetuar në gjendje të lirë, janë hetuar me masa arresti në shtëpi, ndalimi i daljes jashtë shtetit. Pra situata në raport me SPAK nuk është ajo që paraqitet. Ka raste patjetër ku nuk mund të jepet masë tjetër, përpos se arresti me burg. Kështu që SPAK në kërkesat që bën është e kujdesshme të vlerësojë kriteret dhe kushtet që parashikohen në procedurën penale sa i takon llojit të masës së sigurisë.