Një gjykatë franceze dënoi një tunizian me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht për vrasjen e tre personave me thikë në një kishë në qytetin jugor të Nicës në vitin 2020.
Brahim Aouissaoui, 25 vjeç, i kishte thënë gjykatës speciale në Paris se nuk i kujtohej sulmi në tetor 2020. Ai më vonë pranoi se po hakmerrej ndaj perëndimorëve që sipas tij, vrasin muslimanë çdo ditë.
I armatosur me një thikë kuzhine, Aouissaoui thuajse i preu kokën 60-vjeçares Nadine Devillers, goditi Barereto Silva, një punonjëse kujdesi franko-braziliane 44-vjeçare dhe preu fytin e Vincent Loqués, një punëtor 55-vjeçar i kishës, në Notre-Dame.
Aouissaoui u plagos rëndë kur policia e qëlloi pas sulmit.
Por ekzaminimi i tij mjekësor nuk zbuloi ndonjë dëmtim të trurit dhe një vlerësim psikiatrik arriti në përfundimin se nuk kishte dëmtim të gjykimit të tij në kohën e ngjarjeve.
Aouissaoui mbërriti në Evropë nga Tunizia një muaj para sulmit, fillimisht duke kaluar Mesdheun për në Itali dhe më pas duke shkuar në Francë përmes tokës. Në mëngjesin e sulmit, Aouissaoui hyri në Bazilikën e Notre-Dame në zemër të Nisë, duke mbajtur një kopje të Kuranit, tre thika dhe dy telefona celularë, sipas prokurorëve.
Ai rrjedh nga një familje e madhe në qytetin tunizian Sfax.
Nëna e tij tha se ai riparonte motoçikletat dhe përshkroi se si ishte lutur në vitet para se të largohej.
Prokurorët thanë se ai kishte konsumuar alkool dhe kanabis përpara se të radikalizohej në fund të vitit 2018.
Ai u dënua për tre vrasje dhe gjashtë tentativa vrasjeje, shkruan Guardian.
Të mërkurën gjykata mori vendimin e rrallë për t’i dhënë atij dënimin maksimal me burgim të përjetshëm me pothuajse asnjë shans për lirim me kusht për vrasjet makabre.