Drejtuesi politik i qarkut të Beratit për Partinë e Lirisë, Lefter Maliqi, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj Ilir Metës. Sipas tij, ky vendim është i orkestruar dhe synon dobësimin e opozitës së bashkuar para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
“Arrestimi i Metës është një skenar i qartë politik, i drejtuar nga segmente të kapura të drejtësisë. Pavarësisht këtyre goditjeve, ne jemi më të motivuar se kurrë për të çuar opozitën në fitore dhe për të rikthyer demokracinë në vend,” u shpreh Maliqi gjatë një interviste për Fax News.
Ai gjithashtu theksoi se Meta do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë deri në Strasburg dhe se opozita nuk do të ndalet përballë padrejtësive. Sipas Maliqit, kjo është një betejë jo vetëm për demokratët, por për të gjithë shqiptarët që kërkojnë drejtësi të vërtetë dhe një të ardhme më të mirë.
“Ky është një vendim që pritej, por padyshim shumë i rëndë për katër vitet e ardhshme në Shqipëri. Nëse do të kishim një drejtësi të pavarur dhe gjyqtarë me integritet, vendimi për masën e sigurisë ndaj z. Meta mund të kishte qenë ndryshe. Por, në realitet, kemi të bëjmë me një arrestim të orkestruar politikisht, një skenar të qartë për të goditur opozitën në një moment kyç para zgjedhjeve të 11 majit.
Arrestimi i z. Meta, një ish-president, ish-kryeministër dhe kryetar i forcës së dytë opozitare në vend, është një akt që synon destabilizimin e Partisë së Lirisë dhe dobësimin e opozitës së bashkuar. Gjithsesi, ne nuk dorëzohemi. Në qarkun e Beratit dhe në gjithë Shqipërinë, strukturat tona politike janë më të motivuara se kurrë për të çuar opozitën në fitore dhe për të rikthyer shpresën te qytetarët shqiptarë.
Pavarësisht këtij vendimi të padrejtë, jemi të bindur se z. Meta do të ndjekë të gjitha hapat ligjorë deri në Gjykatën e Strasburgut, dhe jam i sigurt që e vërteta do të dalë në dritë. Ndërkohë, ne vazhdojmë punën pa u lodhur për të denoncuar kapjen e drejtësisë nga narko-shteti dhe për të rikthyer demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri.
Një tjetër çështje shqetësuese është ajo që doli në Kongresin Amerikan, ku u diskutua për përdorimin e fondeve ndërkombëtare për të ndikuar në drejtësi dhe për të goditur liderët historikë të opozitës, si z. Sali Berisha. Kemi parë tentativa për ta eliminuar politikisht dhe madje fizikisht Berishën, por ai mbetet një simbol që na motivon të gjithëve. Pavarësisht moshës dhe presionit të jashtëzakonshëm, ai vijon të jetë një shembull i palëkundur i rezistencës dhe betejës për të vërtetën, njësoj siç ndodhi edhe me Donald Trump në SHBA.
Unë besoj fort se me një opozitë të bashkuar dhe me mbështetjen e qytetarëve, ne do të arrijmë një fitore të padiskutueshme më 11 maj. Kjo nuk është thjesht një fitore për demokratët apo për opozitarët, por për të gjithë shqiptarët që duan një Shqipëri europiane, me drejtësi të vërtetë, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale. Gjithçka e mirë që ka ndodhur në këtë vend ka ardhur nga qeverisja e Partisë Demokratike — nga integrimi në NATO, te lëvizja e lirë, dyfishimi i pagave dhe pensioneve, investimet në shkolla dhe spitale. Dhe ne do ta rikthejmë këtë realitet sërish”,-u shpreh Maliqi.