Gjykata e Posaçme ka lënë në qeli Klajdi Merkajn, i cili akuzohet se pastronte paratë e kokainës së vëllezërve Çopja.
“1. Kërkuesi Klajdi Merkaj me datë 10.01.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimi i masës së sigurimit”, baza ligjore neni 260 e në vijim të K.Pr.Penale.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, bazuar në nenet 228, 229, 230 dhe 238 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 46, datë 03.03.2025 vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Klajdi Merkaj, vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, dhënë sipas vendimit nr. 86, datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve, nga e nesërmja e
komunikimit të vendimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit
dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në njoftimin e GJKKO.
35-vjeçari Merkaj u ekstradua në muajin nëntor të vitit 2024 nga Italia në drejtim të Shqipërisë, pasi ndaj tij GJKKO kishte caktuar masën “arrest në burg”, për veprën penale “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Merkaj njihet si mik i ngushtë i vëllezërve Çopja.
Nga hetimet e SPAK deri më tani, dyshohet se i riu pastronte paratë e Hajdar dhe Franc Çopjas.
Klajdi Merkaj ishte në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua nw 16 tetor në Romë. Ai u ekstradua drejt Shqipërisë.