Detaje të reja dalin lidhur me kaosin në parlamentin serb.
Mediat në Serbi bëjnë me dije se nga episodet e dhunshme në Kuvend kanë mbetur të lënduara tre deputete, njëra prej tyre është 8 muajshe shtatzënë.
Deputetët e opozitës serbe hodhën sot bomba tymuese dhe gaz lotsjellës brenda parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj politikave të qeverisë dhe mbështetjes për protestat disa muajshe të studentëve të universiteteve në Serbi.
Demonstratat e nxitura nga shembja e çatisë së një stacioni të trenit që la pas vetes 15 të vdekur katër muaj më parë, janë shndërruar në kërcënimin më të madh për qeverinë serbe.
Në seancën parlamentare, pasi koalicioni qeverisës i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe miratoi rendin e ditës, disa politikanë të opozitës u përleshën me rojat e sigurisë, ndërsa po i drejtoheshin kryetares së parlamentit.
Të tjerë deputetë hodhën bomba tymi dhe gaz lotsjellës. Pamjet televizive shfaqën tym të zi dhe rozë brenda ndërtesës.
Kryetarja e parlamentit Ana Bërnabiç tha se dy deputetë mbetën të plagosur ndërsa deputetja e Partisë Përparimtare Jasmina Obradoviç, pësoi një goditje në tru dhe është në gjendje kritike.
“Parlamenti do të vazhdojë të punojë dhe të mbrojë Serbinë,” tha ajo.