Një skemë e dyshimtë për blerjen e votave në prag të zgjedhjeve të 11 majit është denoncuar në redaksinë e Fax News. Sipas denoncuesve, Partia Socialiste, nën drejtimin politik të Benet Becit, po përdor shpërndarjen falas të koncentratit për bagëti si mjet për të ndikuar në vullnetin e votuesve.
Sipas informacioneve të mbërritura në redaksi, në disa fshatra të Njësive Administrative të Shkodrës janë parë kamionë të paidentifikuar duke shpërndarë koncentrat për bagëtitë, i cili më pas u dorëzohet kryepleqve të fshatrave, të cilët e shpërndajnë nëpër familjet e komuniteteve që përfaqësojnë.
Banorë të zonës kanë dërguar pamje nga fshati Kuç i Njësisë Administrative “Gur i Zi”, ku shihet shpërndarja e këtyre ndihmave, ndërsa sipas tyre, e njëjta skemë është aplikuar edhe në fshatrat e Njësisë Administrative “Postrribë”.
Denoncuesit e konsiderojnë këtë një përpjekje për të deformuar vullnetin e votuesve dhe i bëjnë thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet për këtë çështje. Ata kërkojnë që institucionet të mos lejojnë favorizimin e partisë në pushtet dhe të ndalojnë praktikat që cilësohen si korruptive.
Gjithashtu, denoncuesit i drejtohen Partisë Socialiste dhe drejtuesit të saj politik në Shkodër, Benet Becit, duke kërkuar që të ndalojnë menjëherë këto skema të cilat, sipas tyre, synojnë manipulimin e zgjedhjeve.
Fax News do të ndjekë nga afër këtë çështje dhe do të raportojë mbi çdo zhvillim të mëtejshëm.