Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja e cilësoi si hap historik për mijëra qytetarë, miratimin nga Senati Italian të marrëveshjes për njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore të qytetarëve të të dy vendeve.
Pas 15 vitesh negociata, marrëveshja u nënshkrua një ditë më parë nga Senati Italian.
“Kjo marrëveshje garanton të drejtat për pensionet e mijëra punonjësve shqiptarë në Itali dhe italianëve në Shqipëri. Asnjë vit pune nuk humbet. Siguri dhe perspektivë e re për 550 mijë shqiptarë dhe 4 mijë italianë”, tha ministri.
Finalizimi i kësaj marrëveshjeje garanton të drejtat e punonjësve shqiptarë në Itali apo të punonjësve italianë në Shqipëri për pensionet.
Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë.
“Përfitime për pension pleqërie, invaliditeti, familjar, sëmundjet dhe papunësinë”, theksoi ministri Gonxhja.