Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilluan sot një inspektim në kantierin e Kampusit të Ri të Akademisë së Forcave së Armatosura.
Ky është një investim sipas standardeve më të larta të NATO-s, që do të ofrojë gjithçka bashkëkohore që nga godina mësimore, konvikti, qendra shëndetësore, kinemaja, palestra, pishina e mbyllur, terrenet sportive dhe ato të stërvitjes ushtarake në natyrë, si poligonet, pista e vrapit, kulla e alpinizmit.
“Në këtë repart të Tufinës jemi në një njollë prej 45 hektarësh. 10 hektarë janë të dedikuar tërësisht për Akademinë e re të Forcave të Armatosura”, tha Vengu.
“Masterplani presupozon 3 faza. Është duke u finalizuar faza e parë, e cila parashikon një objekt kryesor për fakultetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes që është shtylla kryesore e Akademisë, ku kemi rreth 300 studentë, të cilët do të akomodohen që nga sezoni i ardhshëm me përfundimin e punimeve. Punimet parashikohet që brenda korrikut të përfundojnë, tha Vengu.
“Është rehabilituar një godinë e vjetër e repartit ku do të jetë dhe menca, e cila ka të gjitha kapacitetet për tërësinë e stafi dhe tërësinë e personelit dhe të studentëve që në fazë të parë dhe është në përfundim e sipër”, tha Vengu.
“Masterplani parashikon në fazë të dytë edhe të gjithë elementët mbështetës, fushat sportive, konviktin të cilin jemi duke denjuar së bashku me arkitektë ndërkombëtarë, në mënyrë që e gjithë Akademia të ketë mundësinë që edhe të rrisë numrin e studentëve”, theksoi Vengu.
“Vitin aktual praktikisht në shtator patëm një sezon shumë të mirë rekrutimesh rreth 1100 aplikantë dhe me një përzgjedhje shumë strikte nga 1100 aplikantë praktikisht vetëm 87 kemi marrë që është një normë seleksionimi shumë e rreptë. Kjo tregon që ka kërkesa të mëdha në fakt për t’u atashuar në programet e Akademisë, bachelor dhe master, ku kemi sivjet edhe programet për mbrojtjen kibernetike me shumë interes edhe nga personeli civil i të gjitha agjencive të tjera ligj zbatuese, që janë të interesuara të gjenerojnë kapacitete për mbrojtje kibernetike”, tha Vengu.
“Kësaj radhe për herë të parë kemi dhe programin për inteligjencë artificiale sepse me të gjithë programet që kanë të bëjnë me industrinë ushtarake, që kanë të bëjnë me sistemet e mbrojtës simulatorët, shkollën e re të aviacionit që e kemi në plan të ndërtojmë, patjetër që dhe elementët e inteligjencës artificiale do integrohen”, tha Vengu.