Mbi 12 mijë nxënës të shkollave në vend kanë nisur përballjet në rang qarku në kuadër të programit “Ekipet Sportive në Shkolla”, një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).
Ky është edicioni i tretë i programit që zhvillohet në disiplinat e volejbollit dhe basketbollit. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale momente nga ndeshjet e zhvilluara në rang qarku. Manastirliu i uroi suksese nxënësve pjesëmarrës në edicionin e 3-të të “Ekipeve Sportive në Shkolla”, që sapo kanë nisur përballjet në rang qarku, në disiplinat volejboll dhe basketboll.
“Ky program i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik Shqiptar, po rritet nga viti në vit, duke përfshirë në Lëvizjen Sportive gjithnjë e më shumë fëmijë që merren me aktivitet fizik”, tha Manastirliu.
Mbështetja nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, KOKSH, trajnerët, koordinatorët, arbitrat dhe vullnetarët vazhdon për të siguruar mbarëvajtjen e këtij edicioni dhe përfshirjen e sa më shumë të rinjve. Në kuadër të këtij programi u shpërndanë uniformat për ekipet e reja në shkolla që bëhen pjesë e këtij kampionati.