Modernizimi i infrastrukturës rrugore që impakton drejtpërsëdrejti zhvillimin e turizmit dhe jetën e përditshme të qytetarëve mbetet një prioritet i qeverisë, i cili vijon të përmbushet përmes investimeve të reja.
Rruga Rrile-Hidrovor, e cila lidh superstradën Lezhë‐Tiranë me fshatin Rrile dhe me Hidrovorin e Tales, është një investim që mbështet zhvillimin e turizmit të gjithë vijës bregdetare të Tales, ku po punohen projekte mbresëlënëse investimesh në hoteleri, për të tërhequr më shumë vizitorë, krijuar mundësi të reja për biznes e punësim dhe fuqizuar Lezhën si pikë referimi për turizmin shqiptar.
Për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve për këtë rrugë, ishte sot në kantier Kryeministri Edi Rama së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu.
Rruga ka gjatësi rreth 6,3 km nga hyrja me autostradën, deri buzë detit, me problematika të shumta, ku në segmente te ndryshme me kalimin e kohës ka degraduar si rezultat i reshjeve të shiut, si dhe rrëshqitjeve të dherave.
“Kjo është rruga Hidrovor-autostradë. Është një ndër rrugët më të rëndësishme përsa i përket turizmit, por dhe për Shqipërinë. Është rruga që vjen nga autostrada në Tale, akseson komplet turizmin e Talës, bregdetin që është në zhvillim, dhe besoj ju e dini mirë se çfarë projektesh po përgatiten për t’u zhvilluar këtu dhe përvecse akseson të gjithë këto shtëpiat që janë nga Rrila e deri më atje, dhe i bie për 5 minuta Rrrila mbërrin në Tale dhe u jep mundësi shtëpive këtu të krijojnë turizëm familjar.” – tregoi Kryetari I Bashkisë së lezhës Ndreu.
Ndërhyrjet në infrastrukturën e zonës kanë si qëllim ofrimin me cilësi, sipas standardeve bashkëkohore të shërbimeve publike në të gjithë territorin, përmirësimin e cilësisë së shërbimit me ujë, infrastrukturës së kanalizimeve të ujërave të shiut, shërbimit të mbledhjes së mbetjeve urbane dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Është parashikuar ndërtimi dhe rikonstruksioni i plotë i rrjetit rrugor, ndërtimi i trotuarit nga njëri krah (majtas), ndërtimi i korsisë së biçikletave në krahun tjetër (djathtas), ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të shiut (KUB), ndriçimit rrugor dhe linjave rezervë, si dhe është bërë me 2 sense lëvizjesh.
“6,3 kilometra nga hyrja me autostradën e deri buzë detit. Praktikisht, nuk është se ka gjurmë përveç segmentit që është një gjurmë dheu, pjesa tjetër nuk ka gjurmë fare. Do të trajtohet e gjitha me gjithë nën shtresat me gjeotekstil sepse është dhe çështje bazamenti për të krijuar qëndrueshmëri. Shpresojmë që sezonin tjetër turistik kjo të jetë e mbaruar dhe e aksesueshme.
Ajo çfarë është e rëndësishme është dhe që si projekt ka dhe veç rrugës do ketë trotuar në njërin krah dhe korsi bicikletash në krahun tjetër. Pra, kthehet në një lloj atraksioni turistik, jo vetëm rruga si akses për makinat, por dhe për gjithë qytetarët që duan të vizitojnë zonat.” – detajoi drejtuesi i FSHZH Dritan Agolli.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama vlerësoi projektin për daljen në dritë të kësaj rruge si një aks tejet i rëndësishëm për turizmin, ndërkohë që theksoi se të tjera projekte do të kompletojnë zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.
“Për t’ju thënë të drejtën, kjo rrugë këtu është prej 3 vjetësh një çekan në kokën time e policisë (Pjerin Ndreut) derisa e përfshimë në programin e Fondit të Zhvillimit, bëmë dhe projektin dhe tani po bëjmë dhe realizimin. Besoj që dhe për ju që jeni këtu, sepse për të tjerët, Pjerini thotë do jetë për të gjithë Ballkanin por për zonën do jetë shumë domethënëse. Për hir të vërtetës, përtej shakasë që është vetëm gjysma e së vërtetës, kemi projekte shumë të bukura këtu në zonën e bregdetit në Tale, por dhe në gjithë zonën e bregdetit. Janë projekte shumë të bukura zhvillimi dhe do sjellin shumë ekonomi.” – u shpreh Kryeministri.