Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar ligjet me porosi që kalojnë në mbylljen e sesionit parlamentar, të cilat, sipas saj, janë shembulli më i qartë i kapjes së shtetit nga interesat klienteliste. Në qendër të kritikave të saj ishte Paketa e Maleve, një akt që, jo vetëm që favorizon pakicën, por shkel hapur të drejtën e pronës dhe konkurrencën e lirë.
“Po e mbyllin sesionin me ligje të porositura, siç kanë bërë për 11 vite radhazi. Paketa e Maleve është një nga aferat më skandaloze: prona shtetërore, madje edhe ajo e pronarëve të vjetër, i jepet klientëve të qeverisë për 10 vite me qira simbolike prej 1 euro dhe me taksa të ulura. Asnjë garë, asnjë transparencë, thjesht një mënyrë e re për të favorizuar klientët e radhës” – deklaroi Tabaku. Ajo nënvizoi se ky ligj bie ndesh me ligjin e pronave, duke krijuar një mekanizëm paralel me procesin e kompensimit të pronarëve të ligjshëm. Po ashtu, ai shkel ligjin e prokurimit publik, duke shmangur garën dhe duke lejuar që asetet shtetërore të shpërndahen sipas interesave të qeverisë. Për më tepër, Tabaku vuri në dukje se ligji bie ndesh edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që Shqipëria ka me BE-në, duke dëshmuar se qeveria jo vetëm nuk po punon për integrimin europian, por po e minon atë me ligje që fuqizojnë korrupsionin.
“Kur dëgjoni qeverinë të flasë për integrim europian dhe luftë kundër korrupsionit, mos u mashtroni. Faktet janë ndryshe. Transparenca e tyre është zero. Ligjet e porositura nuk janë thjesht skandale të izoluara, por një model qeverisjeje që ka 11 vite që po zhvat Shqipërinë. Transparency International e ka përcaktuar këtë qeveri si një qeveri të kapur nga interesat e ngushta, dhe Paketa e Maleve është prova më e fundit e kësaj gjëje” – theksoi Tabaku.
Deputetja demokrate ka qenë një nga zërat më kritikë kundër ligjeve të porositura, duke i denoncuar vazhdimisht në Kuvend dhe në institucionet ndërkombëtare. Ajo e konsideroi këtë paketë si një tjetër përpjekje për të pasuruar një grusht individësh në kurriz të qytetarëve dhe të shtetit shqiptar.
“Ky ligj nuk është as i pari dhe as i fundit i këtij lloji. Janë po të njëjtët emra që përfitojnë, janë po të njëjtat skema që përdoren. Kjo nuk është thjesht keqqeverisje, është kapje totale e shtetit nga një grup oligarkësh që shkruajnë ligjet sipas interesave të tyre”, përfundoi Tabaku.
Opozita ka paralajmëruar se do të kundërshtojë këtë ligj dhe të tjera akte që minojnë konkurrencën e lirë dhe dëmtojnë interesin publik. Megjithatë, me një shumicë parlamentare të kapur nga interesat private, çdo përpjekje për transparencë dhe drejtësi mbetet një betejë e vështirë.
Fjala e plotë:
Po mbyllet sesioni parlamentar përpara zgjedhjeve me ligje të porositura, ashtu siç ka qenë tendenca gjatë 11 viteve të fundit.
Paketa e maleve është qartësisht një ligj preferencial i qeverisë, i porositur, i cili ka në thelb pabarazinë para ligjit, por nga ana tjetër shkel me të dyja këmbët edhe të drejtën e pronës.
Çfarë ndodh me paketën e maleve? Pa garë, pa konkurrencë, prona shtetërore, e cila mund të jetë dhe e pronarëve të vjetër, i jepet për 10 vite në përdorim për 1 euro dhe me taksa të ulura kujtdo që e kërkon dhe e pretendon këtë pronë. Në dorë të bashkive mbetet përcaktimi i prioriteteve për zonat me zhvillim.
Ky ligj bie ndesh me ligjin për pronat, krijon një skenar paralel dhe një proces paralel me atë të kompensimit të pronave. Gjithashtu, bie ndesh me ligjin e prokurimit publik, i cili detyron zhvillimin e një gare të hapur për të gjitha asetet, pronat dhe burimet shtetërore. Për më tepër, ky ligj bie ndesh edhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.
Kështu që, kur dëgjoni që flasin për integrim europian dhe luftë kundër korrupsionit, kini parasysh që ajo që ka rëndësi janë aktet. Dhe aktet tregojnë të kundërtën: paketa e maleve, ligji për prokurimet publike dhe çdo ligj tjetër me porosi që është sjellë në Kuvend ka qenë tërësisht korruptiv.
Ashtu si ky ligj, që vjen në ditën dhe seancën e fundit të parlamentit.