“Lahuta e Vjetër”, në Kurbin, është një histori suksesi që nisi 20 vite më parë si kantinë dhe sot është një destinacion i preferuar për turistët që duan të shijojnë autenticitetin shqiptar.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, u shpreh se, kjo sipërmarrje e mbështetur në traditën e kantinës “Albulena”, tashmë është markë e njohur në treg.
“Kjo sipërmarrje ofron produkte bio dhe gatime tradicionale shqiptare, duke sjellë një përvojë unike mes natyrës dhe shijes”, tha ajo, teksa vuri në dukje se, “puna me pasion po sjell sukses në këtë biznes”.
Denaj theksoi se, “agroturizmi po kthehet në zgjedhjen kryesore për ata që vlerësojnë traditën, uniken dhe lidhjen me natyrën për të shijuar produkte ‘Made in Albania’ nga toka në tryezë”.
Ministrja shprehu mbështetjen me politika të reja financimi për nxitjen e investimeve në agroturizëm.
“Me linjën e financimit të kredisë së butë, të mbështetur nga Garancia Sovrane dhe Paketa e Maleve, nxisim investimet në agroturizëm për zgjerimin, modernizimin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”, tha Denaj.
Beler Reçi, tregon se “Lahuta e Vjetër”, është një sipërmarrje që ka nisur si një dëshirë familjare për ngritjen e një kantine vere që tani është bërë faktor i rëndësishëm për ekonominë lokale, përmes nxitjes së zinxhirit ushqimor dhe zhvillimin e agroturizmit.
“Unë jam një ri që kam jetuar për shumë jashtë vendit dhe tashmë jam kthyer në vendin tim për të kontribuar në zhvillimin e biznesit tim familjar, si mënyra më e mirë për të ndërtuar jetën time në vendin tim”, tha Beleri.