Në GJKKO, përpos gjyqit ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, po mbahet edhe gjyqi për drejtorët e bashkisë, të akuzuar për dosjen “5D”.
Sot u mbajt një tjetër seancë për këtë çështje. Ndërsa, në GJKKO kanë qenë të pranishëm edhe Enton Punavija e Albano Janku. Këta të fundit janë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Posaçme.
Më 2 korrik të 2024 SPAK i komunikoi akuzat “korrupsion pasiv” dhe “mosdeklarim të pasurisë” Redian Mollës dhe Mariglen Qatos, ndërsa Taulant Tushes i komunikoi akuzën “shkelje e barazisë në tendera”. Tre ish-drejtorët u arrestuan në muajin mars të vitit të kaluar me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.
Ata u lanë në masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë në masën “detyrim paraqitje”, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Deborah Keçi dhe Englatina Zere. Sipas SPAK, Qato dhe Molla janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë. Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohor të 6 viteve, nga 2016 deri në 2022. Kompania njihet dhe me dy emra të ndryshëm “Igor Electric” dhe “Vas construcion”.