Kryeministri Edi Rama në rubrikën Sy më Sy në Facebook, tha se me listën e mbyllur, Partia Socialiste hapi partinë.
Rama shtoi se PS dha mesazhin se partia është e qytetarëve. Ai shtoi se PS nuk vepron si kundërshtarët, nuk sheh armiq kudo, por vlerëson talentet individuale.
Edi Rama: Me listën e mbyllur, ne hapëm partinë. Janë shumë politikanë në PS që janë “rritur vetë”. Janë një sërë shembujsh të individëve, që kanë bërë shumë vetë dhe më pas PS i ka pranuar në lista, pasi kanë punuar fort për të qenë këtu.
Në Vlorë e përmbysëm listën, për të pasur një ofertë më konkrete dhe të prekshme. PS dha mesazhin se partia është e qytetarëve. Ne nuk shohim armiq gjithandej, siç bën pala tjetër, ne vlerësojmë individët dhe talentet e tyre. PS nuk mund të jetë parti e mbyllur, nuk mund të jetë parti e mbyllur. Ne kemi në listën tonë edhe ish-deputetë të PD-së. Ata janë demokratë realë, nuk duan bufin e kënetës. Kemi një dekane, e cila është demokrate, por ka zgjedhur Shqipërinë, që është përtej të majtës e të djathtës dhe pasaporta e BE-së nuk sheh në këndvështrim majtas ose djathtas.