Transformimi urban është shtrirë në çdo qytet të vendit, duke zgjeruar rrjetin e rrugëve të reja me infrastrukturë të përmirësuar, lehtësisht të aksesueshme për këmbësorë dhe mjete.
Përfituese e investimeve të qeverisë në lagje e rrugë të reja është edhe bashkia Divjakë, ku aktualisht po punohet në kantier për rikualifikimin e rrugës Gurë – Remas, me gjatësi afërsisht 3,2 kilometra, e cila është një segment lidhës midis dy fshatrave Gurë dhe Remas, e gjithashtu lidhet me rrugën e Karavastasë.
Nga pikëpamja urbane rruga bën pjesë në zonat ku objektet e banimit janë të vendosur në formë të çrregullt, densiteti i ndërtimit është i ulët dhe hapësirat publike e trotuaret pothuajse mungojnë tërësisht. Gjithashtu nuk ka rrjet kanalizimesh, dhe mungon ndriçimi e sinjalistika vertikale dhe horizontale.
Kryeministri Edi Rama ishte sot në Divjakë, për të inspektuar ecurinë e punimeve në kantier ku zbatimi i projektit të ri, do të bëjë të mundur ndërtimin e një infrastrukture sa më të përshtatshme për banorët e zonës së fshatit Remas dhe jo vetëm.
“Ndodhemi në një nga segmentet që FSHZH po ndërton brenda bashkisë së Divjakës. Është segmenti Remas- Gurë, 3,2 kilometra, segment, i cili kalon në zonë të banuar, por e cila nuk është në zonë e mirëstudiuar, shtëpitë dhe densitetin e kanë të shpërndarë. Këto 3,2 kilometra tashmë kemi mbaruar me gjeotekstilin, është hedhur edhe çakull dhe në disa nga pjesët janë dhe pjesët që ka filluar të shtrohet dhe tapeti në këto momente. Janë pastruar kanalet anësore sepse është një nga problemet më të mëdha në këtë zonë. Nga ana tjetër, e quajmë shumë të rëndësishme këtë rrugë, jo vetëm sepse bashkon dy fshatra, por edhe e bashkon me rrugën e Karavastasë në të gjitha planet tona për zhvillimin e turizmit në këtë zonë” shpjegoi Zv/Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila shoqëronte Kryeministrin në këtë vizitë.
Ndërsa, Kryetari i bashkisë Divjakë, Josif Gorrea tha se me mbështetjen e ofruar nga qeveria, zona do të marrë një zhvillim të ri. “E gjithë kjo zonë do marrë një zhvillim të ri në të gjitha drejtimet. Zhvillimi i bujqësisë, të paktën në bashkinë ku unë jam, është i jashtëzakonshëm dhe ndihmesa e qeverisë ka qenë e prekshme, e dukshme, e qartë, e pastër, pa mëdyshje me asnjë interes elektoral”, u shpreh ai.
Nga ana e tij, kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë në modernizimin e dukshëm të infrastrukturës, duke hapur rrugët bujqësore të lëvizjes së prodhimit, si dhe rrugët turistike.
“Tani, praktikisht, ne pothuajse i kemi mbyllur të gjitha rrugët ruralet këtu në Divjakë. Kjo është për të gjithë ata që thonë “Fshati, fshati, nuk keni bërë për fshatin”. Se ku do t’i shikoni ju rrugët e fshatit, ku, në kënetën mediatike që nuk ka punë tjetër përveçse “E kapi, hyri, iku, hyri, doli, vodhi, erdhi,”? Nuk i shihni dot rrugët e fshatit aty, nuk kanë lidhje me fshatin fare ata që flasin atje. Nga ana tjetër, nuk është vetëm Divjaka. Janë shumë e shumë zona dhe shumë e shumë territore, ku ka pasur zhvillim të infrastrukturës rurale gjithmonë, jo elektorale, por strategjike, jo hajde e hidh zhavorr e çakull, dy lopata asfalt për të marrë vota, por përditë e përditë, thuajse 12 vjet më parë, -jo 12 vjet se nja 2 vjet na u deshën vetëm për të filluar të dalim nga gropa që na kishin zhytur me ato borxhet e tyre të tmerrshme, – por një dekadë me radhë, pak nga pak, hap pas hapi, rrugët bujqësore të lëvizjes së prodhimit, rrugët turistike të hapjes së perspektivave të reja në zona, ku nuk shkohej dot as me traktor e jo më të shkoje me veturë”, u shpreh Kryeministri.