Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në prezantimin e raportit të GRECO për luftën kundër korrupsionit, ku u është rikthyer kritikave të tij ndaj sistemit të drejtësisë dhe mënyrës së zhvillimit të intervistave në prokurori. Sipas Ramës, proceset aktuale janë të vjetruara dhe duhet të modernizohen urgjentisht.
“Në sistemin e drejtësisë jemi akoma në epokën e gurit. Zhvillojmë intervista në prokurori dhe polici pa audio dhe pa video. Intervistat bëhen në mënyrë primitive: unë të shoh, ti më sheh, unë të pyes, ti më thua dhe unë shkruaj çfarë të dua,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se kjo praktikë është e papranueshme dhe është vënë në pah edhe nga institucionet ndërkombëtare. Ai deklaroi se qeveria do të angazhohet për ta ndryshuar këtë situatë, duke mbështetur më tej sistemin e drejtësisë dhe institucionet si SPAK dhe GJKKO.
“Kjo duhet korrigjuar me urgjencë dhe ne do ta korrigjojmë. Do të vazhdojmë të mbështesim SPAK dhe GJKKO për të sjellë një sistem të drejtësisë të bazuar në standarde moderne,” tha Rama.
Një nga reformat që Rama premtoi është dixhitalizimi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore, duke e bërë më transparent dhe më efikas sistemin. “Shpresojmë që më në fund të bëhet realitet sistemi i menaxhimit digjital të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me gjyqësorin,” theksoi ai.