Shqipëria përmbylli me sukses vlerësimin e GRECO-s për angazhimin intensiv në parandalimin e korrupsionit në qeverisjen qendrore dhe forcat e sigurisë.
Gjatë prezantimit sot të raportit të GRECO-s për luftën antikorrupsion, kryeministri Rama theksoi se “ky është një motiv i fortë për të qenë shumë ambicioz dhe shkuar shumë më tej”.
Në këtë drejtim, kryeministri theksoi se “jemi duke bërë përpjekje të gjithanshme për ta thelluar këtë progres, duke përgatitur një dallgë tjetër reformash të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit”.
Kjo, sipas Ramës, do të ndodhë me një përfshirje të madhe të gjithë institucioneve dhe ndërveprimit të të tri pushteteve të pavarura: ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit.
Po ashtu, Rama tha se Shqipëria sot është në pararojë të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE sepse ka kapacitetin për ta përmbyllur procesin e negociatave brenda vitit 2027 dhe ka dy arsye pse të ndjehet plotësisht e motivuar për t’u bërë anëtare e BE-së brenda kësaj dekade.
“Shumë shpejt do të vazhdojmë me hapjen e kapitujve të tjerë, ndryshe nga çfarë është thënë ditët e fundit në pasqyrat e kënetës politike dhe mediatike”, shtoi Rama.