Kryeministri Edi Rama iu bën thirrje zgjedhësve në Greqi që të shfrytëzojnë momentin historik për të votuar për zgjedhjet e 11 Majit. Përmes një videoje në rrjete sociale, Rama thotë se kompania postare DHL i ka zgjidhur problemet që ka pasur, duke iu kujtuar që të mbështesin edhe PS.
“Desha të përcjell një thirrje, një lutje dhe mesazh për të gjithë ata që janë regjistruar si votues në Greqi që të marrin zarfet dhe të mos e lënë pa përdorur mundësinë historike për një takim me historinë. Mundësi historike për të qenë votues për herë të parë nga jashtë dhe takim me historinë për të kyçur përfundimisht Shqipërinë në shtëpinë e madhe të BE. Ka pasur problematika për fat të keq për në ditët e para me shpërndarjen, kompaninë por tanimë kompania ka vënë gjërat në vijë sipas informacionit që kam. Zarfet janë shpërndarë nëpër destinacione dhe keni të gjthë infot e nevojshme për të kuptuar se çfarë duhet të bëni dhe për të mos përtuar që t’i tërhiqni zarfet nga pikat e shpërndarjes së kompanisë. Dhe nga ana tjetër, në rast se i keni marrë zarfet, të veproni duke i kthyer ato drejt Shqipërisë me numrin 5.”, tha Rama.
Më tej, Rama thotë se ky votim është historik edhe për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pensioneve, pasi me hyrjen në BE, do t’u njihen automatikisht.