Kryeministri Edi Rama, nga takimi në Pogradec, ku po përmbyll fushatën elektorale, ka kërkuar që vota më 11 maj të shkojë për PS-në, me premtimin e pasaportës europiane.
“Të vendosim me votën tonë të mos jemi të huaj në zemër të Europës”, tha Rama, teksa shtoi se “të mos vëmë në pikëpyetje vullnetin europian të këtij kombi dhe fatin europian të këtij kombi për mustaqet e Kujtim Gjuzit.”
“Ky është momenti për të bërë hapin përfundimtar, që në këto dy vite të çojmë përpara negociatat. Dhe të mos luajmë me fatin tonë siç kemi bërë edhe më përpara ne shqiptarët, jo në një rast. Të mos vënë në pikëpyetje vullnetin europian të këtij kombi dhe fatin europian të këtij kombi për mustaqet e Kujtim Gjuzit dhe të kapërcejmë ato gardhë që na kanë ndarë majtas-djathtas. Kjo nuk është një punë, është mision historik dhe kombëtar.
Shqiptarët gjithmonë, edhe në ditët më të errëta ëndërronin perëndimin. Kur ra diktatura, dolën të gjithë rrugëve, askush nuk i nxori. Së bashku e nxorën nga shpirti shprehjen që mbeti në histori ‘e duam Shqipërinë si e gjithë Europa’.
S’kemi këtu flamuj të PS edhe pse jemi krenar për PS. Jemi këtu për t’u thënë edhe të tjerëve është momenti për të këmbëngulur në dinjitetin tonë europian. Të vendosim me votën tonë të mos jemi të huaj në zemër të Europës. Nuk mund të lejojmë ne që i mbyturi të të mbyt, prandaj demokratët duhet ta kuptojnë. Këtu në Pogradec ne do të marrim rezultatin më të mirë se kurrë, ashtu si në të gjithë në Shqipërinë.
Dilema me Shqipërinë në BE 2030 apo me bufin e kënetës dhe me kënetën dhe një herë tjetër. Kjo nuk ka për të ndodhur. Nuk jemi këtu për të thënë se kemi merak se nuk marrim shumicën aritmetike për të qeverisur. Tjetër është shumica aritmetike, tjetër është mesazhi i fortë i gjithë popullit për të negociuar si trup i vetëm.
U them demokratëve të bëjnë të njëjtën gjë që bënë socialistët në mars 92. Në rast se janë prindër të votojnë për fëmijët e tyre, që tu japin fëmijëve të tyre pasaportën evropiane. Që edhe fëmijët të kuptojnë se për këtë pasaportë, baba dhe nëna votuan bënë një sakrificë të madhe, votuan një maskara si Edi Rama. Le të thonë ç’të duan për mua, por të votojnë 5. Nëse nuk e bëjnë këtë, le të bëjnë atë që bëra unë në mars të ‘92. Nuk shkova fare të votoj. As për askënd tjetër.
Kush nuk shkon të votojë i hap rrugën shumicës. U bashkova me ata që i hapën rrugë Shqipërisë. Le ta bëjnë kështu. Të mos votojnë fare. Të çohet burri që në mëngjes të vishet, të mbajë radhë dhe të hidhet në kënetë. Demokratët e zakonshëm duhet të bëjnë dhe një sevap. Jo demokratët çyryk, që marrin bufin me tendë. Bufi rri lart mbi kënetë, ata janë poshtë. Një person i lashtë, i dëshpëruar, i pashpresë dhe që ka rrëshqitur. Nuk është në metro”– u shpreh mes të tjerash Rama.