Në një vizitë të zhvilluar mesditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i shoqëruar nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, mori pjesë në një takim me familjarët e punonjësit të Policisë, inspektorit V. Gj., i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën pas një aksidenti të rëndë në Peshkopi.
Punonjësi i Policisë, 64 vjeç, u aksidentua kur ishte duke kryer detyrën e tij në qytetin e Peshkopisë dhe aktualisht po trajtohet në Spitalin e Traumës, në Tiranë.
Drejtori Proda i shprehu familjarëve mbështetje të plotë, duke i siguruar ata se ekipi mjekësor po bën gjithçka të mundur për ta mbajtur kolegun në jetë.
“Jam në kontakt të vazhdueshëm me mjekët dhe drejtuesit e Spitalit të Traumës dhe po bëhet gjithçka për të shpëtuar jetën e kolegut. Nëse do të jetë e nevojshme, do të mundësojmë transferimin në një spital jashtë shtetit,” u shpreh Proda gjatë vizitës.
Ai theksoi gjithashtu sakrificat e punonjësve të Policisë, duke i cilësuar ato si të jashtëzakonshme për misionin e shërbimit ndaj qytetarëve.
“Ky është një mision fisnik dhe sakrifikues, dhe të gjithë ne e kemi zgjedhur këtë rrugë për t’i shërbyer qytetarëve me përkushtim dhe ndershmëri,” tha ai.
Në takimin e zhvilluar, drejtori i Policisë mori informacione të mëtejshme për gjendjen e pacientit nga zëvendësdrejtoresha e SUT dhe stafi mjekësor, të cilët vazhdojnë të punojnë për ta mbajtur punonjësin e Policisë të qëndrueshëm.
Familjarët e punonjësit të aksidentuar falënderuan Drejtorin Proda për mbështetje dhe inkurajim, si dhe shprehen mirënjohjen për përpjekjet e vazhdueshme të stafit mjekësor.