Ndërsa vetëm 5 ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare, KQZ i është përgjigjur kërkesës së PD, për një ndërhyrje urgjente për rikthimin e ligjshmërisë në procesin e votimit të diasporës në Greqi.
Nëpërmjet një letre drejtuar kryekomisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi PD ngriti shqetësimin për procesin e votimit të shqiptarëve në Greqi.
Sipas KQZ, nuk do të ndryshojë rregulli i dorëzimi të zarfave me dokumentacionin zgjedhor tek zgjedhësit, shërbimi do të bëhet “derë më derë”, ku korrieri i shërbimit postar tenton tre herë për të dorëzuar zarfin me dokumentacionin zgjedhor në adresën e deklaruar nga vetë zgjedhësi gjatë regjistrimit.
Pranë pikave DHL paraqiten gjithë zgjedhësit, jo vetëm ata në Greqi, të cilët nuk kanë arritur ta marrin zarfin në adresën e deklaruar pasi janë bërë tre tentativa dorëzimi dhe qytetari nuk është gjendur në atë adresë, apo në rastet kur adresat kanë pasur të dhëna të pasakta dhe korrieri e ka patur të pamundur dorëzimin e zarfit tek qytetari. Sa i përket raportimeve që merrni nga qytetarët në Greqi, ku ndër të tjera citoni se “…po përvetësohen në mënyrë të organizuar nga individë të caktuar që mund të paraqiten pranë pikave postare…”, lutemi referimin e këtyre rasteve, të shoqëruara dhe me provat përkatëse në organet kompetente. Lidhur me kontratën e nënshkruar me DHL International Albania sh.p.k (DHL), ju bëjmë me dije se në përmbajtje të saj ka parashikime që sanksionojnë mos përmbushjen e detyrimeve kontraktuale nga palët.
Ju konfirmojmë se KQZ nuk i ka bërë asnjë pagesë këtij operatori për shërbimin që ai po ofron.
Përveç komunikimeve të përditshme me DHL, KQZ nëpërmjet shkresës nr.3592 Prot., datë 30.04.2025 ka kërkuar nga operatori i shërbimit postar DHL, respektimin e protokollit të dërgimit/dorëzimit e marrjes mbrapsht të dokumentacionit zgjedhor në Greqi. KQZ ka qenë në komunikim të përditshëm me DHL lidhur me problematikat e raportuara për Greqinë, çka ka sjellë zgjatjen e orareve të punës për shpërndarjen e zarfeve, punën dhe gjatë ditëve të pushimit lidhur me ofrimin e shërbimit postar për zgjedhësit.
Në vijimësi KQZ ka kërkuar prej DHL, marrjen e masave urgjente për të adresuar problematika të ndryshme, me qëllim shpërndarjen në kohë të fletës së votimit tek zgjedhësit në mënyrë që ata të kenë edhe kohën, edhe mundësinë për ta kthyer atë mbrapsht në KQZ/Tiranë në kohë deri në 11 Maj. Në shkresën tuaj ju pyesni se si shpjegohet që një e treta e të gjithë zarfave të Greqisë vijnë në një ditë të vetme.
Ju sqarojmë se çështja e kthimit të zarfit lidhet në kronologji me momentin e marrjes së zarfit, KQZ ka këshilluar zgjedhësit që të postojnë zarfin e kthimit brenda tre ditëve nga koha e marrjes. Fluksi i marrjes dhe i kthimit mbrapsht të zarfave nuk diktohet nga KQZ dhe nga ana tjetër zgjedhës nuk është i detyruar ta kthejë mbrapsht zarfin në një datë fikse. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i angazhuar maksimalisht që të gjithë qytetarët të regjistruar në listën e zgjedhësve nga jashtë të ushtrojnë efektivisht të drejtën e votës.