Lëvizja islamike e Hamasit ka deklaruar se nuk ka më kuptim të mbahen bisedime të mëtejshme për armëpushimin në Gaza dhe lirimin e pengjeve, pasi Izraeli aprovoi planin për zgjerimin e ofensivës dhe marrjen nën kontroll të gjithë territorit palestinez.
Zyrtari i hershëm i grupit militant, Bassem Naim ka deklaruar për BBC se lëvizja nuk do të marrë përsipër zbatimin e propozimeve të reja, përsa kohë shteti hebre vijon “luftën e vdekjes nga uria”.
Të hënën, ushtria izraelite dhe vetë kryeministri Netanyahu njoftuan planin për një operacion në shkallë të gjerë, objektiva të të cilit do të jenë mposhtja e Hamasit dhe lirimi i pengjeve.
Ata nënvizuan se plani parashikon marrjen nën kontroll të Gazës, zhvendosjen e pjesës dërrmuese të popullsisë së saj dhe marrjen në dorë të ndihmave humanitare, pas bllokadës 2-mujore të tyre.
Zyrtarët hebraikë shtuan gjithashtu se ofensiva nuk do të nisë derisa presidenti Donald Trump të përfundojë vizitën e tij në rajon javën e ardhshme.
Ata thanë se kjo vizitë përbën një shans për të arritur një marrëveshje, por deklarata e Bassem Naim bie ndesh me ta.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka paralajmëruar se zgjerimi i operacioneve izraelite do të çojë në mënyrë të pashmangshme në vdekjen e më shumë civilëve dhe në shkatërrimin e mëtejshëm të Gazës.
Kundër planit në fjalë kanë dalë edhe Kina me Francën.