Në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që po mbahen sot në Shqipëri, procesi i votimit është zhvilluar me sukses edhe në institucionet e vuajtjes së dënimit. Një nga rastet që konfirmon funksionimin normal të procesit është ai i burgut të grave në Pojske të Pogradecit.
Në këtë institucion, 36 të dënuara që gëzojnë të drejtën e votës e ushtruan këtë të drejtë pa asnjë pengesë. Votimi u organizua në një qendër të posaçme votimi të vendosur pranë burgut, e cila u pajis me të gjitha kushtet e nevojshme për të garantuar një proces të rregullt, transparent dhe të sigurt.
Sipas burimeve nga administrata zgjedhore dhe drejtues të institucionit, procesi ka vijuar në mënyrë të qetë dhe nuk është raportuar asnjë incident apo parregullsi. Komisionerët kanë bashkëpunuar ngushtë me stafin e burgut për të mundësuar një zhvillim sa më normal të votimit.