Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë kanë arrestuar tre shtetas, pas zbardhjes së një ngjarjeje ku një person kishte deklaruar rrejshëm në spital se ishte dëmtuar aksidentalisht me mjet prerës, ndërkohë që ishte vetëplagosur me armë zjarri që e mbante pa leje.
Ngjarja u zbulua pas njoftimit nga Spitali i Lushnjës, ku një shtetas kishte shkuar për të marrë ndihmë mjekësore, i dëmtuar në këmbë. Hetimet e menjëhershme të Policisë zbuluan se 37-vjeçari A. M. ishte vetëplagosur aksidentalisht në një automjet, me një armë zjarri që e kishte pa leje. Për të fshehur të vërtetën, ai kishte deklaruar në spital se ishte lënduar nga një mjet prerës.
Në përfundim të hetimeve paraprake u arrestuan:
- A. M., 37 vjeç, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Deklaratë e rreme” dhe “Pengim i zbulimit të së vërtetës”;
- I. M., 33 vjeç (vëllai i të dëmtuarit) dhe
- F. V., 40 vjeç (shoku i tyre), të cilët akuzohen për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Dy të fundit dyshohet se kanë fshehur automjetin ku ndodhi vetëplagosja dhe kanë mbështetur deklarimin e rremë të A. M.
Gjatë kontrollit në automjetin e gjetur nga Policia, u sekuestruan 2 fishekë dhe 1 predhë arme zjarri si prova materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.