Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, zhvilloi një vizitë zyrtare në Bosnjë-Hercegovinë, ku u takua me homologun Elmedin Konaković dhe përfaqësues të tjerë të lartë shtetërorë e parlamentarë.
Në fokus të takimeve ishin thellimi i dialogut politik dhe nxitja e bashkëpunimit ekonomik. Ministri Hasani theksoi angazhimin e Shqipërisë për një rajon të qëndrueshëm dhe evropian, ku vendet e Ballkanit Perëndimor bashkëpunojnë për të ardhmen e përbashkët.
Gjatë vizitës u inaugurua edhe Ambasada e Shqipërisë në Sarajevë, e rihapur pas 10 vitesh, një hap domethënës për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Ministri Hasani vizitoi gjithashtu trupën shqiptare në Misionin EUFOR Althea dhe mori pjesë në Forumin e Biznesit të Sarajevës 2025, ku foli për reformat ekonomike dhe rolin e bashkëpunimit rajonal në zhvillimin e qëndrueshëm.
Ai zhvilloi edhe takime me Kryetaren e Këshillit të Ministrave, znj. Borjana Krišto, si dhe me përfaqësues të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës. Vizita u përmbyll me homazhe në Memorialin e Fëmijëve të Vrarë gjatë Rrethimit të Sarajevës.