Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, siguroi sot se administrata e tij “do ta fitojë” në përleshjen që ai ka pasur me Universitetin e Harvardit, të cilit ai dëshiron t’i ndalojë pranimin e studentëve të huaj.
“Gjëja më e mirë për Harvardin është se ata kërkuan dhe gjetën gjykatësin më të mirë për ta, por mos u shqetësoni, Shteti do të fitojë në fund”, vazhdoi ai.
Të enjten, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Christy Noem, njoftoi heqjen e të drejtës së Harvardit për të pranuar studentë të huaj. Por një gjyqtar e bllokoi shpejt këtë veprim, të cilin universiteti e apeloi në Gjykatën Supreme të premten në mëngjes.
Administrata Trump akuzon Harvardin se refuzon mbikëqyrjen e Uashingtonit mbi procesin e pranimit dhe akuzon universitetin se është një bastion i antisemitizmit, për promovimin e ideve radikale të majta dhe për lidhje me Partinë Komuniste Kineze.
Donald Trump mbrojti dje vendimin e tij për të ndaluar studentët e huaj nga universiteti prestigjioz.
“Ne duam të dimë se kush janë këta studentë të huaj”, shkroi ai.
Administrata më parë kishte anuluar më shumë se 2 miliardë dollarë në grante për universitetin, gjë që çoi në pezullimin e disa programeve kërkimore.
“Po mendoj të tërheq 3 miliardë dollarë në grante nga Harvardi shumë antisemitist dhe t’ua jap shkollave të biznesit në të gjithë vendin. Çfarë investimi i shkëlqyer për Shtetet e Bashkuara dhe shumë i nevojshëm!”, shtoi Donald Trump në një postim tjetër sot, pa qenë e qartë nëse po i referohej fondeve për Harvardin që administrata e tij tashmë i ka “ngrirë”.