Një incident mes një maturanti serb dhe efektivi policor në veri të Mitrovicës, ku u pretendua për dhunë të tepruar ndaj nxënësit, nxiti sërish Beogradin zyrtar të drejtonte një sërë akuzash për Kosovën.
KFOR dhe EULEX kërkuan hetime për rastin, ndërsa Policia e Kosovës sqaroi se ndërhyrja ishte për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, pasi maturanti kishte bërë thirrje dhe veprime shoviniste ndërsa kalonte pranë lokaleve ku qëndronin shqiptarë.
Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se Policia e Kosovës është bërë cak i një lufte hibride, pasi javë më parë efektivët u akuzuan për ngacmime seksuale në veri nga disa organizata joqeveritare.
Gurakuç Kuçi, nga Instituti OCTOPUS, u shpreh: “Është pjesë e një strategjie të tyre që po bëjnë çdo gjë që është e mundur vetëm e vetëm të delegjitimojnë Policinë e Kosovës në veri të vendit dhe institucionet e Kosovës atje sepse ata dëshirojnë me çdo kusht, e kanë pjesë të strategjisë, që ta rikthejnë fuqinë e tyre që e kanë pasur para incidentit në Banjska dhe po ashtu të rikthejnë fuqinë e tyre deri tek ndarja e veriut të vendit”.
Serbia ka lëshuar një fletë-arrest për policin Dylot Brahimi, ndërsa në rrjete sociale të menaxhuara nga grupet serbe është bërë thirrje për vrasjen e tij.
Incidenti ndodhi në ditën kur në veri ishte edhe Kaja Kallas. E gjithë kjo shihet si skenar i qëllimshëm pari u parapri edhe nga mesazhet e ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriç që tha se “Kosovën e marrim kur të jemi të denjë”.
“Me atë ngacmimin e nacional-shovinizimit tek serbët dhe ngacmimin nëpërmejt luftës hibride dhe propagandës, po ashtu inskenuan një incident i cili do ta bënte të dukej veriun e vendit para syve të Kaja Kallas si një vend i cili është nën dhunën e Policisë së Kosovës”, tha Kuçi.
Institucioneve të Kosovës iu kërkohet kujdes pasi incidente të tjera mund të ndodhin sërish: “Sigurisht që mund të presim incidente të reja dhe po ashtu edhe mund të presim një diplomaci të rrejshme nga Serbia kundër Kosovës. Besoj që institucionet e Kosovës do të duhej të merrnin masa të fuqishme kundrejt këtyre incidenteve që kanë ndodhur dhe po ashtu edhe incidenteve potenciale që mund të inskenojnë Serbia nëpërmjet luftës hibride”.