Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka mbajtur sot një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, ku ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të opozitës, të cilat i cilësoi si përpjekje për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Dënoj me forcë përpjekjet e atyre që nuk po lënë gjë pa bërë, gur pa lëvizur dhe fjalë të zezë pa thënë për vendin. E kam fjalën për ata ‘misionarë’ që janë rikthyer me vrull për të prishur emrin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve”, u shpreh Spiropali.
Spiropali theksoi se këto veprime nuk kanë për qëllim të mirën e vendit, por janë thjesht një mënyrë për t’i “bërë bisht humbjes” politike dhe për të përfituar vëmendje jashtë vendit.
“Janë sulur për të përdhosur reputacionin e tokës tonë më të pa vërteta të shpikura si përpjekje për mbijetesë politike.
E shohim çdo ditë pelegrinazhin me një fletushkë nën sqetull të përpiluar në Tiranë që shitet si rezolutë”, tha ajo.