Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, mbërriti të mërkurën në qytetin ukrainas të Odesës për samitin rajonal Ukrainë-Evropë Juglindore. Kjo është hera e parë që udhëheqësi miqësor ndaj Moskës, viziton vendin gjatë 12 viteve të tij në pushtet, raportoi agjencia kombëtare e lajmeve ukrainase Ukrinform.
Agjencia ukrainase e lajmeve vuri në dukje se Serbia ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, por se ka dënuar politikat e Moskës në Kombet e Bashkuara dhe ka shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës.
I vetmi president serb që vizitoi Ukrainën që kur vendi ballkanik u bë i pavarur në vitin 2006 ishte Boris Tadiç në vitin 2011. Presidenti i mëparshëm i Ukrainës, Petro Poroshenko, vizitoi Serbinë në vitin 2018, raportoi Ukrinform.
Ukrinform vuri në dukje se Vuçiç është takuar edhe më parë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të paktën tre herë.
Zyra e presidentit serb publikoi informacionin mbi vizitën e tij në Ukrainë vetëm pasi Vuçiç ishte nisur për në Odesa.
Vizita zhvillohet vetëm dy javë pasi Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) tha se industria serbe e mbrojtjes po përpiqet ta “godasë Rusinë pas shpine” duke eksportuar municione në Ukrainë, “pavarësisht faktit se shteti është shpallur ‘ushtarakisht neutral’”.