Donald Trump kërkon që Irani të bëhet sërish madhështor. Pas sulmit në 3 impiantet bërthamore, presidenti amerikan shpreh pëlqimin e tij për ndryshimin e regjimit në Teheran.
“Nuk është politikisht korrekte të përdoret termi ‘ndryshim regjimi’, por nëse regjimi aktual Iranian është i paaftë për ta Bërë Iranin Sërish Madhështor, pse të mos ketë një ndryshim regjimi??? MIGA!!!”, shkruan Trump.
Ky është një ndryshim nga deklarata fillestare e kreut të Shtëpisë së Bardhë, kur pohoi se sulmet e fuqishme të ushtrisë amerikane nuk ishin një nisje lufte apo përpjekje për të ndryshuar regjimin. Trump konfirmon edhe njëherë bindjen se impiantet bërthamore të Iranit janë asgjësuar tashmë.
“Dëme monumentale u shkaktuan në të gjitha centralet bërthamore në Iran, siç tregohet nga imazhet satelitore. Zhdukje është një term i saktë! Struktura e bardhë e treguar është ngulitur thellë në shkëmb, madje edhe çatia e saj është shumë nën nivelin e tokës dhe plotësisht e mbrojtur nga flakët. Dëmi më i madh ndodhi shumë poshtë nivelit të tokës. Qëlluam në shënjestër”, shtron Trump.
Sulmi i Presidentit Donald Trump ndaj centraleve bërthamore të Iranit ishte momenti më i dhunshëm i dy mandateve të tij dhe i përballjes 46-vjeçare të Amerikës me Republikën Islamike. Por realiteti nëse Trump i shkatërroi vërtet ambiciet bërthamore të Iranit dhe pasojat e agresionit të tij janë shumë më të paqarta sesa do të sugjeronin pretendimet e tij optimiste për fitore. Ende nuk dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur poshtë tokës, por Pentagoni bëri të ditur atë që u vu në skenë sipër qiellit.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, Dan Caine, konfirmuan se në operacionin e koduar “Çekani i Mesnatës” u përfshinë më shumë se 125 avionë, mes tyre dhe bombarduesit e fuqishëm B-2, duke lëshuar 75 raketa të ndryshme, përfshirë 14 bomba 13.6 tonëshe që shpojnë tokën deri në 60 metra thellësi. Ushtria e SHBA përdori një taktikë mashtruese dhe pretendohet se mbrojtja ajrore iraniane nuk kuptoi asgjë gjatë sulmit.