Rreth 20 të plagosur dhe asnjë të vdekur – ky është bilanci i pjesshëm pozitiv i autoriteteve italiane pas tërmetit të rëndë, që tronditi Italinë Qendrore nga e mërkura e në ditët në vazhdim me lëkundjet pasuese.
Me një forcë prej 6,5 ballë tërmeti ishte ndër më të fortët qysh prej 36 vjetësh në Itali. Tërmeti sa i përket jetës dhe shëndetit të banorëve, krahasuar me tërmetet e mëparshme, kaloi me pasoja të lehta, venë në dukje ekipet përgjegjës të mbrojtjes civile.
Kjo shpjegohet me faktin se shumë njerëz ishin evakuuar dhe e kanë kaluar natën jashtë ose në qendra emergjence. Pas lëkundjeve të fuqishme të tokës të mërkurën (26 tetor)shumica e njerëzve u vendosën në gjendje alarmi.
Dëmet në godina dhe në infrastrukturë janë mjaft të rënda. Disa mijëra vetë kanë humbur shtëpitë.
Në Amatrice, që u shkatërrua më 24 gusht nga një tërmet i fortë, ka pasur shkatërrime të mëtejshme. Një banore e dëshpëruar tregon: “Ne u përgjunjëm. Ajo pak forcë që na kish mbetur për të vazhduar përpara na
u rëmbye. Eshtë e tmerrshme, kur e sheh vendin tënd, ku ke lindur të shndërruar në një grumbull rënojash.”
Mbizotëron pasiguria
Edhe presidenti i rajonit të Markes, Luca Cericioli, vëren, që shumë njerëz në Italinë Qendrore vazhdojnë të jenë të pasigurtë. Eshtë e vështirë të përballohen pasojat kaq të shpeshta nga tërmete të vazhdueshme pavarësisht nëse fizikisht nuk cënohesh, thotë ai. “Eshtë çdo herë si një film që nis nga e para – njerëz që preken gjithnjë e më rëndë e duket sikur kjo nuk ka fund. Por përkundrazi bëhet edhe më keq. Kush nuk është prekur herën e parë, është prekur herën e dytë ose tani të tretën. Askush në Marken nuk kujtohet të ketë përjetuar tërmet të këtyre përmasave.”
Apel solidariteti
Kryeministri i Italisë u ka bërë thirrje njerëzve, që të mos e humbasin kurajon dhe ka apeluar tek të gjithë italianët, që të tregojnë solidaritet. Ai gjithashtu ka apeluar për ndihma edhe tek BE. Qeveria italiane pas tërmetit të mërkurën (26.10) deklaroi, se kostot për riparimin e dëmit si dhe për masat preventive ndaj tërmeteve të ardhshme i parashikon në shuma miliardash. Mbi këtë bazë Italia do të ketë edhe më shumë borxhe nga sa ishin planifikuar në pranverë – gjë që e fut vendin në konflikt me BE-në. Sepse BE-ja nuk do që Italia e zhytur thelle në borxhe të shkelë kriteret e stabilitetit të Euros.