Mbi dy milionë euro është shuma që është vjedhur përmes mashtrimeve online gjatë vitit 2015-2016. Shefi për krimet Kibernetike në Policinë e Tiranës dha alarmin, duke deklaruar se “numërohen miliona lekë të grabitura online, ndaj kushdo që bën transferta duhet të bëjë shumë kujdes, të mos i besojë vetëm kontaktit me e-mail.”
Artan Dashi në një intervistë për Report TV shprehet se ka shuma më e madhe e grabitur një personi është 850 mijë euro. Dhe ky është një biznesmen nga Tirana.
“Ndërsa në total numërohen 38 viktima të krimit kibernetik dhe një shifër marramendëse që arrin mbi 2 milionë euro për një vit”.
Kryesisht pre e hakerave janë bërë biznesmene apo individë që bëjnë blerjeve të makinave jashtë vendit por edhe biznese që kanë dashur të blejnë pjesë këmbimi, apo lëndë të parë, etj.
Mashtrimi kompjuterik, sipas Dashit, vjen për shkak se biznesmenët shqiptarë kërkojnë të mbarojnë punë shpejt dhe nuk i kontrollojnë faturat, numrat e llogarisë apo çdo të dhënë që duhet të plotësohet para çdo transferte.
“Dëshira për të mbaruar punë shpejt, pa menduar se mund të vidhen duke kujtuar se janë të sigurt nga e-mailet ka sjellë këto”, thotë ai.
Kryesisht hakerat i transferojnë paratë në banka të Anglisë, Gjermanisë, Sllovakiës e Cekisë për një periudhë tranzitore e më pas paratë e vjedhura përfundojnë në vëndet e Afrikës duke u shpërndarë në një rrjet merimange në më shume se 100 llogari.
“Bëhen faturat e proformave, faturat e artikujve të blerë. Në momentin që bëhen proformat hakeri bën programe të tilla kompjuterike që kap këto proforma. Në momentin që kap proformën midis biznesmenit gjerman dhe shqiptar, ai e shikon nuk i ndryshon asaj asgjë, vetëm ndryshon llogarinë’, shpjegon Dashi.
E teksa gjendja sipas Dashit është në kufijtë e alarmit, ai ka një këshillë për këdo që e ka të nevojshme të përdori internetin për punë apo transferta duke i kërkuar që të bëjnë kujdes para çdo transaksioni.
“Në radhë të parë duhet të bëhet verifikimi. Nuk duhet të besohet verbërisht tek komunikimi me email. Duhen të ketë patjetër kontakt nëpërmjet telefonit”, këshillon Dashi.
Krimet kompjuterike janë të shumta, vetëm për 2015-2016 janë mashtruar 38 persona.