
Nëna zbulon motivin që çoi në tentativë vetëvrasjeje 14-vjeçaren nga Tirana, e cila dy ditë më parë u hodh nga kati i tretë i një pallati, duke shokuar kalimtarët. ‘’Fëmijët e mi janë me kombësi greke, pasi babai i tyre është grek, Vorio-Epiriot. Por, fëmijët në këtë ditë sot nuk e kanë këtë kombësi, ja ka hequr babai. Vajzën ai nuk e do, interesohet vetëm për djalin. Ai nuk ia jepte mbiemrin fëmijëve të tij. Kjo shtëpi që unë rri sot është e babait tim. Kur kthehet vajza nga dera e burrit, nuk të do njeri dhe unë e kam vuajtur dhe e vuaj këtë gjë.’’, tregon mamaja e adoleshentes në një intervistë për “Shekulli”-n. Sipas nënës I.Qelibari, e bija vuante nga stresi edhe pse në një moshë kaq të re. Kjo pasi nëna 44-vjeçare, prej vitesh vuan nga skleroza. Qelibari tregon se e bija i bën shërbim gjatë gjithë kohës, pavarësisht moshës së saj të re. Madje, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, Qelibari nuk është vënë në dijeni që vajza e saj ka tentuar të vetëvritet, por di që asaj thjesht i ka rënë të fikët.
INTERVISTA:
Çfarë ka ndodhur me vajzën tuaj dy ditë më parë?
Nuk e di, zoti ma ka shpëtuar vajzën dje (pardje). Ajo mban shumë stres në vetvete, sepse më shikon mua në këtë gjendje që jam sot. Vajza më ka bërë për katër vite me radhë gjilpërat. Jam invalide, vuaj nga një sëmundje e rëndë. K….. (emri i vajzës që nuk është publikuar për arsye etike) më ka bërë të gjitha shërbimet. Ajo mërzitet shumë me mua dhe ka kaluar stres për gjendjen time.
Pse ndodhet në këtë gjendje vajza. Çfarë e bën atë të kalojë në gjendje depresive?
K…. ka parë shumë gjëra tek unë. Ajo ka vuajtur që kur ka qenë në klasën e parë, pasi atëherë unë jam sëmurë shumë keq. Doktorët nuk më gjenin se çfarë kisha, sa arritëm më dërguan edhe te Psikiatria, pasi menduan se unë isha e çmendur. Dyshonin për këtë sepse unë qaja kur tregoja muhabete të ndryshme, por asnjëherë nuk kam qenë budallaqe. Kaluan 5 vite dhe unë u bëra shumë keq. Mu mpinë këmbët dhe më dridhej komplet trupi, sikur të isha një plakë e moshuar. Në këtë periudhë kam bërë skaner dhe kam dalë me probleme në kokë, atë kohë K…. ka qenë në klasë të parë. Kam dalë me sklerozë të avancuar. Që atëherë vajza më ka shërbyer dhe sot nuk e përballon dot këtë gjendje. E vuan kur unë jam sëmurë dhe rri gjithë kohën në stres.
Cila është historia juaj? Pse i transmetohet ky stres vajzës?
Unë jam e ndarë nga bashkëshorti im. Sa vjeçe është vajza tani, aq vite kam që nuk rri me të. Kam vuajtur shumë me babanë e fëmijëve të mi, kam jetuar për disa kohë në Greqi. Xhelozia të çon në vdekje. Më ka ruajtur zoti që nuk kam vdekur kur kam qenë shtatzënë me vajzën, ndërsa djalin e kam pasur 8 muaj e gjysmë. Fëmijët e mi janë me kombësi greke, pasi babai i tyre është grek, Vorio-Epiriot. Por, fëmijët në këtë ditë sot nuk e kanë këtë kombësi, ja ka hequr babai. Vajzën ai nuk e do, interesohet vetëm për djalin. Ai nuk ia jepte mbiemrin fëmijëve të tij. Kjo shtëpi që unë rri sot është e babait tim. Kur kthehet vajza nga dera e burrit, nuk të do njeri dhe unë e kam vuajtur dhe e vuaj këtë gjë.
Si arrin t’ia dalësh me gjithë këto vuajtje?
Vajza ime ka kaluar shumë gjëra të vështira me mua dhe, ka parë shumë skena jo të mira. Edhe në këtë ditë sot, ajo vazhdon ta vuajë këtë pjesë. Unë nuk jam në gjendje për të mbajtur as fëmijët e mi, pasi marr vetëm 10 mijë lekë invaliditeti. Ato nuk më dalin mua, por fëmijëve të mi jo e jo. Kam kategorinë e parë të sëmundjes dhe ka shumë vështirësi. Babai dhe nëna ime janë nga 70 vjeç dhe kanë hallet e tyre. Babai është i sëmurë, ka tumor në tru. Këtë gjë K…. nuk e përballon mirë, pasi prindërit e mi e rritën. Ajo më shumë do ata, sesa mua. K…. është një vajzë shumë e mirë dhe pa probleme. Në shkollë më flasin të gjithë mirë për të.
A flet vajza me ju për problemet që ajo ka, apo për gjendjen që ajo ndodhet?
Nuk para flet shumë, pasi nuk do të më mërzisë mua për shkak të gjendjes sime. Vajza rri e më bën shërbim gjatë gjithë kohës. Gjendjen time ajo e përjeton shumë keq, madje dhe e ka shprehur. Gjithë kohën ajo rri e mërzitur, në stres. K…. më ka parë mua se një ditë jam mirë e një ditë jo, dhe e përjeton këtë gjë. Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur realisht me vajzën time, pasi nuk më tregojnë të vërtetën. Unë e di që K…. i bie të fikët, por këtë herë nuk e di se çfarë ka ndodhur realisht. Kanë hallin tim sepse unë jam e sëmurë dhe mezi eci. Dje kanë ardhur shumë njerëz, pasi kishin qenë në spital tek K….. ishte vrarë shumë keq kur kishte rënë. Është vrarë te pjesa e belit dhe te krahu i majtë. E ka shpëtuar Zoti dhe jam shumë mirënjohës.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë, pranë ish-Shkollës së Bashkuar. 14-vjeçarja me iniciale K.B u vetëhodh nga kati i tretë i një pallati dhe ka përfunduar në tarracën e katit të parë. Vajzës i erdhën në ndihmë tre djem të rinj, të cilët rastësisht ndodheshin pranë pallatit ku ajo kreu aktin. E reja është dërguar menjëherë në urgjencën e QSUT-së, jashtë rrezikut për jetën.