Tekniku i Kombëtares Shqiptare të futbollit, De Biasi ka filluar të ndezë motorët e ndeshjes së shumëpritur mes Italisë dhe Shqipërisë. Ndeshja që do të zhvillohet në kuadër të eleminatoreve të Botërorit do ta vërë teknikun italian përballë skuadrës së tij kombëtare.
‘’Unë kam bërë një punë të mirë në Shqipëri, jo vetëm sepse kemi dhënë zemrën në çdo ndeshje, por edhe sepse ne teknikët italianë dimë të kujdesemi për detajet. Ne italianët kur punojmë në vende të tjera dimë të japim më të mirën’’ , ka deklaruar tekniku.
Përsa i përket ndeshjes ai ka thënë që ajo do të jetë një ndeshje futbolli si gjithë të tjerat, veçse për atë vetë do të ketë disa specifika të veçanta.
‘’Është e tillë sepse është e vështirë për një Italian që të vihet përballë kombit të vetë, aq më tepër kur në valle është kualifikimi në Botëror. Do të përpiqemi të japim më të mirën. Natyrisht do të jetë një ndeshje futbolli me disa specifika të veçanta’’, ka shprehur trajneri.
Ndërsa përsa i përket Kombëtares italiane De Biasi është shprehur se ajo është në duar të sigurta nën drejtimin e teknikut të zgjedhur Giampiero Ventura.