Nga Andi Bejtja
Keni vënë re si tensionohen marrëdhëniet shqiptaro-greke si rrufe në qiell të hapur! Pse: Sepse shoqëria civile në të dy vendet, një pjesë e medias, në të dy vendet, për hir të së vërtetës, më shumë andej kufirit, nuk janë në pozita të shëndetshme, më shumë kanë aftësinë të helmojnë opinionin publik, se ta qetësojnë.
Në gjithë këtë përplasje të këtyre ditëve Shqipëri-Greqi me protagonistë kryeministrin tonë, më ka ngelur në mendje komenti i një qytetari të thjeshtë, emigrant në Greqi, i cili shkruante: bë gallatë ti byrazer bë, po ne e hamë.
Janë këta emigrantë që e njohin Greqinë dhe politikën greke po aq mirë sa Rama në mos më mirë. Kjo fjali ka shumë të vërteta brenda, pavarësisht se kryeministri ynë ka të drejtë kur thotë se prishja e rreth 20 shtëpive në Himarë nuk është provokim, ka të drejtë që ngre hapur çështjen çame, ka të drejtë të marrë informacion për pasuritë nënujore në kufirin detar Shqipëri-Greqi, por në të njëjtën kohë duhet të mendojë dhe për këta 700 mijë njerëz që jetojnë atje…
Jo duke mbyllur gojën, duke e kthyer heshtjen në mall që shitet, nuk po them këtë se mos keqkuptohem, por jo duke u bërë historian nga pozitat e kryeministrit, duke folur për histori Akropoli, duke u shprehur nuk jemi më të vegjël etj etj që sa do ta kundërshtojë nuk është as më pak e as më shumë provokim prej Shaban Qoseje.
Është e lehte të sillesh si lider i Aleancës Kuq e Zi e të fitosh duartrokitjet nacionaliste të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufirit dhe është tjetër gjë të jesh kryeministër serioz që mendon të rregullosh përditshmërinë si të çamëve ashtu edhe të emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Kryeministri ynë e di që Greqia është një femër naive që bie me dëshirë pre e të tilla provokimeve, ndaj përveç Libidos dhe kënaqësisë që mund t’i japë kjo lojë duhet të mendojë dhe për pasojat që mund të ketë sjellja e Greqisë ndaj bashkëpatriotëve të vetë.
Nuk e di, roli disa herë i Shaban Qoses do jetë thjesht një orgazmë e hedhur në kosh për të dhe me pasoja për përditshmërinë e bashkëpatriotëve të vetë, apo mund të jetë dhe një lojë për të futur në grackë Athinën me qëllimin për të filluar dialogun serioz për zgjidhjen e problemeve.
Do ishim shumë të lumtur të gjithë nëse roli i Shaban Qoses do të kishte këtë rezultat të dytë. Të presim, gjithsesi çka po ndodh është një lojë e rrezikshme. Ndërsa bashkëatdhetarët tanë atje mund ta kenë një shpresë që Cipras të kopjojë Vuçiçin, i cili e pranoi publikisht ndryshe nga ai se Rama është një lider global.
E keni vënë re që marrëdhëniet shqiptaro-serbe janë përmirësuar:Pse? Sepse duket qartë që Vuçiç nuk i merr seriozisht ato që Rama thotë. Cipras të lutem ndiq të njëjtën rrugë dhe Ballkani do jetë më i qetë.