Nga Panajot Barka*
Vizita e Kryeministrit Rama në Berlin, midis të tjerash, përbën një mesazh të qartë në lidhje me seriozitetin politik të Tiranës në raport me partnerët perendimorë.
Në deklaratën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me zonjën Merkel, kryeministri kishte një dyzim (ose një gjuhë me kulaç dhe kërbaç) që nuk vërteton thjesht se kjo vizitë ishte larg rezultateve të aspiruara prej tij në lidhje me hapjen e procesit integrues të vendit në BE, por që vë në dyshim seriozitetin e Tiranës për orientimin e vet politik. Në deklaratën e tij, Rama u përpoq të riaktivizonte të gjithë arsenalin e argumenteve të tij në lidhje me interesin e dyanshëm, të BE-së nga njera anë dhe Shqipërisë e Ballkanit Perendimor nga ana tjetër.
Njëkohësisht ai i kujtoi zonjës së parë të Evropës, të cilës kish arritur t’i fliste dhe në njëjës dhe në emër, se “në këtë situatë shumë pozitive, as ne dhe as partnerët europianë nuk duhet ta marrin si të mirëqenë njëherë e përgjithmonë atë që kemi arritur, sepse në rajonin tonë veprojnë edhe aktorë të tretë që synojnë të shfrytëzojnë çdo lëkundje, paqartësi apo vakum që mund të krijohet në marrëdhënien tonë me BE-në”
Kjo diplomaci ka një interpretim fare të thjeshtë. – Shiko, thotë, po qe se ju nuk na hapni derën, ne na presin edhe të tjerë. (!!) Dhe në këtë artikulim, kuptohet që Rama nuk e ka fjalën për Rusinë, së cilës i ka mbyllur portën në surat për të treguar devotshmerinë e tij perendimore. Ai ka parasysh Turqinë dhe faktorë të tjerë të spektrit islamik që veprojnë në Shqipëri dhe rajon.
Në këtë sens, gjuha e Ramës ishte ana e kadifenjtë e gjuhës kërcenuese që përdori Erdogani ndaj Perendimit dhe BE-së pak ditë me parë, kur kjo e fundit, kuptohet me vullnetin parësor të Gjermanisë, ngriu procesin e bisedimeve integruese për në BE të Turqisë.
Në fakt, kjo gjuhë e Erdoganit nuk lidhet aq me këtë vendim të BE-së, por me zhvillimet në Siri dhe në rajonin me të gjerë në Juglindje të Turqisë. Lidhet veçanërisht me frikën e saj për krijimin e shtetit Kurd dhe humbjen e rendësisë së vet gjeostrategjike. Në këtë kuptim, Turqia nuk kërcenon vetëm me prishjen e njëanshme të marrëveshjës së refugjatëve me BE-në (flitet se një arsenal i ri i fuqishëm transportues refugjatesh drejt ishujve grekë dhe vendeve të tjera evropiane është instaluar në Azinë e Vogël) gjë që do të sillte një këkëçarje të mëdha për Evropën. Si kundrapeshë e këtyre zhvillimeve të munshme, ajo kërcenon edhe me shkelje të njëanshme dhe të dhunshme të akteve ndërkombëtare të vendosjës se rendit egzistues kufitar në këtë pjesë të Evropës, marrëveshjen e Lozanës, që në fund të fundit ato janë edhe kufijtë e BE-së.
Gjuha e Ramës tregon se ai nuk mund të jetë një Erdogan tjetër ndaj Evropës, por një shtesë e tij në Ballkan, apo një istrument i tij për aq sa interesat kombëtare të shqiptarëve, përputhen me ambicjet neotomane të Erdoganit në rajon. Në gjuhën evropiane ky nënkuptim i deklaratës së Ramës, artikulohet krejt ndryshe. Artikulohet si “Shqipëri Evropiane”, pra si një bashkim i të gjitha trojeve shqiptare në një Evropë të Bashkuar. (!!)
Faktin e një partneriteti të tillë me Turqinë e shpreh hapur edhe Presidenti i Republikës. Në një emision të ditëve të fundit, Nishani, as me shumë e as më pak, tha se Turqia përbën një faktor ekulibrues i stabilitetit në Shqipëri, (për të cilën flitej në emision) dhe në rajon. Presidenti Nishani nuk përmendi se cilët janë faktorët që e kërcenojnë këtë stabilitet dhe as faktin që pse në kuadrin e NATO-s Turqia zë për Shqipërinë faktorin kyç të ruajtjës së këtyre ekulibrave dhe stabilitetit.
Ky këndvështrim na lejon të interpretojmë ndër të tjera arsyet perse Tirana në raport me Greqinë zgjodhi si përcaktuese të së ardhmës së marrëdhënieve midis të dy vendeve ato probleme të së kaluarës që derivojnë te interesat e së shkuarës dhe të tashmes të Turqisë në rajon, sidomos ndaj Greqisë, të ricikluara sot nga Erdogani.
Po ashtu, Turqia ka kohë që interesat e veta në Shqipëri i ka avancuar edhe pse jo në nivelin që ndoshta ajo do të dëshironte. Madje në këtë anë peshon edhe balanaca e ndihmës së saj për Shqipërinë. Lë të mos harrojmë se në vizitën e tij të largët Turgut Ozal kërkoi heqjën e bustit të Skenderbeut nga selia jonë presidenciale. Me 1998 Ankaraja kondicionoi ndihmën për ushtrinë shqiptare me garanci marrjen e bazës ushtarake të Pashalimanit dhe me vonë edhe të aeroportit të Kucovës. (Në të njëjta rrethana Italia mori ishullin e Sazanit dhe Greqia kërkoi ndërtimin e një spitali multifunksional në Gjirokastër i cili për gati dhjetë vjet u shërbeu mbi 30 mijë shqiptarëve). Sipas presidentit Nishani, Turqia zotëron pjesët më stragjike të ekonomisë së vendit, të telekomunikacioneve, industrisë së metaleve dhe mineraleve, të energjitikës etj. Por mendoj, se arritja më e madhe është mentaliteti i krijuar në sferat kontrolluese të opinionit publik. Se Turqia nuk është thjesht një aleat strategjik, por një vend mik dhe vëlla. Dhe është i tillë jo për shkak të historisë, por, siç thotë edhe Presidenti Nishani, tek Turqia shihet partneri ekulibrues ndaj faktorëve të tjerë që trajtohen herë hapur e herë mfshehtas si armiq të Shqipërisë. Madje, në emër të këtij qëllimi harrohet edhe historia e vërtetë e raporteve të Perandorisë Otomane, trashëgimtare e së cilës është Turqia, me popullin shqiptar. Derivat i këtij partneriteti, është rikrijimi, pavarësisht nga format e shfaqjes, së konfliktit të mileteve fetare përgjatë fundit të Perandorisë Otomane e që shërbeu si shtysë kryesore për formimin e komb-shteteve në Ballkan, me përjashtim të Shqipërisë.
Aq e vërtetë është kjo sa që edhe sot në Shqipëri, anashkalohet si zyrtarisht edhe publikisht fakti se nga kush Shqipëria fitoi pavarësinë dhe si e fitoi atë. Madje shkohet deri atje sa në ditën e Pavarësisë shfaqen bashkërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë me atë të Turqisë. Ndërsa katër vjet më parë, në 100 vjetorin e këtij eventi, kryefjala që i jepte tempin festës, ishte nacionalizmi ndaj fqinjit jugor, se sa vet eventi i pavarësisë si e tillë. (Dhe atëherë këto daulle pushuan pasi Perendimi i hoqi fort veshin Tiranës zyrtare).
Ndoshta Rama ka të drejtë në artikulimin e tij për atë punën “e të treteve”. Se Perendimi i shkaktoi aq shumë dilema në marrëdhëniet e tij me Erdoganin. Më të ardhur në pushtet Rama shpalli se me qeverinë e Erdoganit do të bënte mbledhje të përbashkëta, por kjo nuk ndodhi edhe përse si praktikë nuk është e denueshme. Eshte e vërtetë se Rama lëjoi aplikimin kulturor të neotomanizmit në Shqipëri, ngritjen e xhamive të shumta saqë sot Shqipëria e parë nga lart ngjan një vend krejtesisht mysliman. Por njëkohësisht Rama hoqi vallen e krishtërimit katolik të shqiptarëve. Pritja e Papës në Tiranë në njëvjetorin e qeverisjes së tij, ku mbisundoi thirrja e kthimit në origjinën fetare, flet njëqindfish më shumë se akti i tij i vetpërcaktimit si katolik. Kjo, megjithatë nuk e pengoi Erdoganin, disa muaj me vonë si i ftuar i ramës në Tiranë, të përcaktonte kufirin adriatik të Shqipërisë si kufirin e perandorisë së zemrës së Erdoganit dhe Erdogani të përjetonte me lotë thirrjet në vargje të një të reje që të mos i braktiste shqiptarët. Po gjithashtu, Rama nuk pati fuqi të plotësonte asnjë nga kërkesat e Erdoganit ndaj kundërshtarit të tij më të egër, Gylenit.
Të gjitha këto Perendimi i ndiqte me kujdes të padukshëm, ashtu si edhe thirrjen se fundmi me zë të lartë, “Faleminderit Erdogan” për uniformën e re të policisë, ndërkohë që nuk e kishin dëgjuar të bënte të njëjtën gjë për ndihmat dhe më të mëdha të Perendimit. Në këtë aspekt duket se Perendimi ishte gati të toleronte situatën në Shqipëri përsa i përket drogës, krimit të organizuar, korupsionit, reformave gjysmake, të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, proceseve të çala demokratike. Por jo të gjitha së bashku.
*Shkruar për ”Shuplaka.com”