Përcaktohen kriteret e reja për pagesën e taksave për makinat e luksit. Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, pragu që një mjet të konsiderohet luksi zbret në çmimin e blerjes 5 milionë lekë, nga 7 milionë që është këtë vit. Taksa e luksit paguhet nga autoveturat me numrin e vendeve 4+1, me cilindrat 3000 kubikë dhe çmim blerjeje 5 milionë lekë. Taksa e luksit paguhet nga rreth 5400 mjete, ose 1,5 për qind e totalit të makinave, shkruan Gazeta Shqiptare.
Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor janë përcaktuar gjithë procedurat për pagesën e taksave vjetore dhe një shembull që tregon se si do të llogariten detyrimet për mjetet gjatë vitit të ardhshëm. Taksa e luksit llogaritet në dy faza. Mbi makinat luksoze zbatohet taksë regjistrimi për herë të parë në masën 70.000 lekë dhe taksë e përvitshme në masën 21.000 lekë çdo vit. Taksa prej 70 mijë lekësh është taksa vetëm për regjistrim për herë të parë, dhe kjo taksë nuk e shoqëron mjetin pas regjistrimit për herë të parë, pra në vitin pasardhës drejtuesi i mjetit do të paguajë vetëm 21 mijë lekë.
Sipas ligjit në fuqi, taksa e luksit paguhet nga makinat me cilindrat motorikë mbi 3 mijë kubikë dhe çmimi i mjetit të jetë mbi 7 milionë lekë. Ndërsa për vitin e ardhshëm do të ndiqet e njëjta praktikë, por kufiri do të jetë 5 milionë lekë çmimi i blerjes.
Llogaritja :
Në rast se mjeti ka cilindrat 3 mijë kubikë, por nuk ka çmimin e blerjes 7 milionë lekë, ky mjet do të paguajë taksën e luksit. Mund të plotësohen të dyja kriteret, ose mund të jetë vetëm njëri prej tyre. Pra mjeti që ka cilindrat 3 mijë kubikë taksohet me taksën e luksit. Në rast se mjeti është me cilindrat më pak se 3 mijë kubikë, por vlerën e tij e ka mbi 7 milionë lekë, atëherë do të taksohet si mjet luksi. Mjetet Kategoria e mjeteve të luksit është autovetura me numrin e vendeve 4+1. Ne kemi të regjistruar edhe kamionë që kanë cilindrat 12 mijë kubikë, por kategorizohen si mjete pune dhe janë të përjashtuara nga taksa e luksit. Të gjitha kategoritë e mjeteve që tejkalojnë numrin e vendeve 4+1 nuk quhen mjete luksi, por mjete pune që përdoren si për transport pasagjerësh, apo edhe mallrash.
Makinë luksi është autovetura 4+1 që i shërben personit, nuk ka rëndësi marka apo modeli, por është mjet luksi për efekt të dy kritereve që janë përcaktuar në ligj, kubikët dhe çmimi i makinës. Pagesa e taksës Sipas ligjit në fuqi, taksa e regjistrimi fillestar dhe taksa e përvitshme për automjetet luksoze është e vlefshme për 365 ditë dhe caktohet sipas formulës: Cilindrata në cm3 x koeficienti fiks sipas vjetërsisë.
Taksa fikse për llojin e karburantit është 12,5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën. Koeficienti sipas vjetërsisë së mjetit është si në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij. Mjetet me vjetërsi nga 0-3 vjet nuk janë subjekt i kësaj takse. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, drejtoritë rajonale, para kryerjes së kontrollit teknik vjetor të detyrueshëm të mjetit.
Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit. Pavarësisht nga pagesa e taksës vjetore të mjeteve të përdorura, mbi makinat luksoze zbatohet taksë regjistrimi në masën 70.000 lekë për regjistrim të çdo makine luksoze dhe taksë e përvitshme në masën 21.000 lekë çdo vit. Taksa e përvitshme për automjetet luksoze është e vlefshme për 365 ditë. Detyrimi për pagimin e taksës i takon pronarit të mjetit. E ardhura nga taksa, për çdo rast, mblidhet nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Drejtoritë Rajonale, në momentin e vjeljes së taksës vjetore të mjeteve të përdorura. Pronari i mjetit, i cili nuk kryen pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, detyrohet të paguajë një gjobë prej 5 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25 për qind për çdo vit.
TARIFAT PËR PATENTAT .Tarifat e pajisjes me leje drejtimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, të cilat janë si më poshtë:
-Për leje drejtimi të kategorisë A 3.000 (tre mijë) lekë;
-Për leje drejtimi të kategorisë B 4.500 (katërmijë e pesëqind) lekë;
-Për leje drejtimi të kategorisë C 2.000 (dy mijë) lekë;
-Për leje drejtimi të kategorisë D 3.000 (tre mijë) lekë;
-Për leje drejtimi të kategorisë BE, CE dhe DE 3.000 (tre mijë) lekë.